Personi që u gjet pa shenja jete këtë të martë në rrugën “Evlia Qelebia” në Mitrovicë ishte kryetar i Shoqatës të së Shurdhërve në Mitrovicë. Nysret Gubetini ishte kryetar i kësaj shoqate që nga viti 2021.
Trupi i pajetë i Gubetinit u gjet brenda objektit të “Shurdhmemecëve”.
Mediat kanë raportuar se në trupin e pajetë janë parë shenja të goditjes, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga Policia.
Nga Policia e Kosovës për Insajderin kanë bërë të ditur se për rastin është raportuar sot në mesditë.
“Bazuar në hetimet fillestare, sot rreth orës 14:30, është raportuar se në rrugën ‘Evlia Qelebia’ brenda objektit të ‘Shurdhmemecëve’ është gjetur pa shenja jete viktima i moshës rreth 60-vjeçare”, ka deklaruar Zahiti.
Tutje, ai ka bërë të ditur se hetuesit policorë me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Vlen të theksohet se SHKSH punon për avokimin për të drejtat e personave të shurdhër, përmirësimin e edukimit të personave të shurdhër, punësimin e personave të shurdhër dhe hulumtimin e Gjuhës së Shenjave.