“Ukë Rugova, djali i Ibrahim Rugovës, bashkë me familjen e tij të mrekullueshme më vizituan në stendë gjatë Panairit të Librit, ku me shumë kënaqësi i dhurova romanin tim të fundit Parajsa Artificiale”, ka shkruar Blushi në Facebook.
“Meqë kohët e fundit shkoj shpesh në Prishtinë, ata më ftuan të takoj nënën dhe gjyshen e tyre, që duhet të ketë aq shumë gjëra për të treguar nga jeta me Ibrahim Rugovën, ndoshta politikanin shqiptar më evropian dhe më të çuditshëm në 100 vitet e fundit, pas Ismail Qemalit”.
Blushi zgjerohet më tej në tekstin e tij duke folur për figurën e ish-presidentit të Kosovës, për të cilin tha se kompletoi atë që e kishte nisur Ismail Qemali më 1912 – mëvetësinë shqiptare.
“Unë mezi pres të fotografoj dhe të bisedoj me të, për të kuptuar se si arriti Ibrahim Rugova të krijonte shtetin më të ri në planet, një shtet që nuk kishte ekzistuar kurrë më parë, përveçse në ëndrrën e tij”.
“Meqë jemi në prag të Pavarësisë, duhet thënë se Ibrahim Rugova kompletoi një shekull më vonë atë që Ismail Qemali nisi në vitin 1912. Kur Shqipëria u bë e pavarur, Kosova mbeti jashtë kufijve si një taksë që i duhej paguar mëshirës së pamëshirshme të Fuqive të Mëdha”.
Blushi thotë në shkrim që taksa e pavarësisë së Shqipërisë në atë vit ishte pikërisht humbja e Kosovës, teksa për Rugovën tha se për ushtri kishte durimin e tij – pritjen para të folurit.
“Kosova ishte taksa që Shqipëria pagoi kur mori lejen për t’u bërë shtet i pavarur”.
“Për fat të keq kjo taksë zgjati 100 vjet, derisa Ibrahim Rugova vendosi ta ndërpriste këtë padrejtësi dhe bëri një shpikje që nuk kishte ekzistuar as në librat më futuristikë të botës”.
“Ai krijoi një shtet paralel që u bë bërthama e shtetit të pavarur të Kosovës. Ai i mësoi shqiptarët e Kosovës me idenë se mund të jetonin vetëm.
“Kur u nis, kishte shumë armiq dhe shumë pak armë, mes të cilave durimin pa kufi, cigaret pa pushim dhe shallin e lidhur rreth qafës. Kur arriti kishte me vete gjithë Perëndimin të cilin e bindi ngadalë duke folur avash”.
“Ushtria e Ibrahim Rugovës ishte durimi i tij”.
“Siç thonë ai fliste pak dhe priste shumë”.
“Nuk e di si do ishte historia e Kosovës pa Ibrahim Rugovën por një gjë është e sigurt : pa Ibrahim Rugovën, Perëndimi do ta kishte lënë Kosovën të priste edhe më gjatë”.