Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim për katër persona të dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Bëhet fjalë për Nurije Sylajn, ish-vjehrrën e viktimës, Driton Sylajn, ish-kunatin e saj, si dhe Metë Pepajn e Gëzim Bobin. Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të Arlindës, Jeton Sylaj, i dyshuar për shtytje në vrasje të rëndë.
Media “Betimi për Drejtësi” ka siguruar dosjen e Prokurorisë, ku përshkruhen detaje të komunikimeve dhe veprimeve të të dyshuarve.
Prokuroria pretendon se Nurije ishte e pranishme edhe kur Albert Sylaj e sulmoi Arlindën me sëpatë, por nuk ndërmori asnjë veprim për ta ndaluar. Po ashtu, dyshohet se pas vrasjes tentoi t’i devijonte hetimet me deklaratën e saj si dëshmitare.
Pjesa më shqetësuese e dosjes lidhet me komunikimet e gjetura në telefonat e sekuestruar, ku, sipas Prokurorisë, kishte kërcënime ndaj një dëshmitareje dhe një të miture.
Në njërin prej mesazheve thuhet: “Diçka nije për to, shoh diçka, dije se tona trutë në tokë kom me ja qitë kësaj e ty, me ditë që s’e shoh diellin kurrë me sy”

