
Gazmend Dashi është edhe një veprimtar i njohur
Poeti shpreh falënderimet e tij të veçanta për redaktorin Besnik Jaha, stafin botues dhe veçanërisht për firmën “Gërvalla Elektro-Technik”, e cila ka sponsorizuar botimin e këtij libri. Një mirënjohje e posaçme i dedikohet z. Bekim Gërvalla për mbështetjen.
Për më shumë mbi librin, lexoni parathënien e mëposhtme nga PhDc. Besnik Jaha:
Në një kohë kur pakkush preferon distancën, vetminë dhe vështrimin e thellë, sepse sot gjithsekush do performancën, thjesht, shfaqjen, Gazmend Dashi na vjen me librin poetik Më afër dritës, që edhe për nga titulli sikur na e rrëfen një udhëtim poetik të autorit drejt vlerave më sublime të jetës: (për) ndritjes.
Dhe, po sikurse drita, edhe ky libër, përmes fjalëve plot nur, prek me delikatesë kujtesën, zhgënjimin, mërgimin, dashurinë dhe, në fund, edhe vetë poezinë. I ndarë në pesë kapituj, secili me tematikë të veçantë, ky vëllim është një rrugëtim reflektues drejt brendisë së njeriut që kërkon dijen, reflektimin prej të tjerëve në të kaluarën, për të bërë zgjidhjen e duhur në të ardhmen; thënë troç, kërkon dritën si shpëtim për shpirtin e trazuar, dëlirësinë dhe ndjeshmërinë, në një botë që shpesh edhe po e zgjedh terrin. Struktura pesëkapitullshe e librit flet për një organizim tematik të menduar, ku secila
pjesë përfaqëson një hap të veçantë të kësaj rruge të brendshme.
Që nga kapitulli i parë, Më afër dritës, më i gjati, me poezi të ngarkuara me mall për të kaluarën dhe zhgënjim për të tashmen, autori na fton në një dialog me vetveten, në një kërkim të dritës përmes kujtimit dhe reflektimit. Poezia që hap këtë pjesë, me vargje si “ajo ishte shenjë: një premtim i pathyer, / se edhe në errësirë… do të jemi një hap më afër dritës”, shfaq jo vetëm ndjeshmërinë e poetit ndaj kohës që po e jetojmë, por edhe besimin e tij në forcën shëruese të fjalës.
Kujtimet nuk janë thjesht kujtime, por gjurmë të dhimbshme të asaj që ka qenë dikur e gjallë, dhe sot nuk
është më, ndërsa rikujtimi sikur na çon më afër dritës. Ky kapitull është themeli emocional
dhe filozofik i gjithë librit.
Në kapitullin e dytë, Kënga e lirisë, me 10 poezi, kemi ngarkesën e një historie të përgjakshme, por edhe krenarinë e një populli që nuk u përkul. Poezia me të njëjtin titull është një himn dhe një vajtim njëkohësisht – për djemtë e betejës, për lirinë që shpesh u pagua me jetën, por edhe për heshtjen që pasoi atë sakrificë: “Kënga e lirisë shndërrohet në heshtje, në heshtje të gjatë e të përgjakur…”, – thotë poeti. Këtu liria nuk paraqitet si koncept abstrakt, por si përjetim i dhimbshëm, si një ëndërr e grabitur që ende kërkon zë.
Udhëtim pa kthim, kapitulli i tretë, njëherësh më i shkurti, flet me gjuhën e dhimbjes së mërgimit, plagë e (për)jetuar prej vetë poetit, ndërsa largimi nga atdheu shquhet edhe si një largim nga vetvetja, nga rrënjët dhe nga kujtimet. Sepse mërgimi është një udhëtim që rrallë sjell kthim të plotë; se mërgimtari mbetet gjithmonë i ndarë mes dy botëve.
Kapitulli i katërt, A ka dashuri më, eksploron ndjenjën e dashurisë në rrjedhën e kohës, që nga kujtimet e ndritshme të një dashurie të dikurshme, e deri te përplasja me realitetin e sotëm të zymtë; këtu poezitë zbulojnë zhgënjimin që sjell humbja e ndjeshmërisë dhe zëvendësimi i dashurisë me urrejtjen, interesin dhe ndarjen. Në poezinë e parë të këtij cikli dashuria paraqitet si një dritë e perënduar në një kohë kur hasmëria, ndasia dhe harresa kanë zënë vendin e saj. Autori nuk shkruan për t’i idealizuar ndjenjat, por për t’i vendosur ato përballë realitetit, duke thirrur për rikthimin e vlerës së dashurisë si e vetmja përvojë që
ndërton dhe shpëton.
Libri mbyllet me kapitullin Poezia ka ikur, me 13 poezi që flasin për vetë poezinë dhe lidhjen e autorit me të, për braktisjen e saj, për heshtjen që ka zëvendësuar ndjeshmërinë e dikurshme dhe për lidhjen e thellë të poetit me artin e fjalës. Pra, këtu kemi një reflektim meta-poetik mbi fatin e vetë poezisë, mbi rolin e saj sot, në një botë që e shpërfill ndjeshmërinë, fjalën dhe përjetimin estetik. Këtu poeti bën një përpjekje për të kapur atë që po ikën: poezinë si frymë, si nevojë, si mbijetesë të shpirtit.
Më afër dritës është më shumë se një përmbledhje poezish. Ky libër poetik është një thirrje për reflektim më të thellë dhe jo të zakontë; është një buqetë plot emocione dhe filozofi. Më afër dritës nuk është thjesht një libër poezish, por një thirrje e heshtur për kthim te vetvetja, te kujtesa, te dhembja, te plaga, te dashuria, dhe te fjala që ngjall ndjenjë. Me këtë libër poeti Gazmend Dashi ka dëshmuar se krijon poezi që flasin, thërrasin dhe shërojnë. Ky libër është një ftesë për të ndalur, për të dëgjuar dhe për të qenë një hap më afër vetes; më afër dritës.