23.2 C
New York
July 3, 2025
DardaniaNews
LajmeLajme nga BotaLajmi i fundit

Trump: Izraeli pranon kushtet për armëpushim 60-ditor në Gaza

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Izraeli ka pranuar kushtet e nevojshme për të finalizuar një armëpushim 60-ditor në Gaza, ndërsa bisedimet e tërthorta po vazhdojnë përmes ndërmjetësve Katarit dhe Egjiptit.

Në një postim në platformën e tij Truth Social të martën, Trump tha se përfaqësuesit e tij zhvilluan një “takim të gjatë dhe produktiv” me zyrtarë izraelitë.

“Izraeli ka pranuar kushtet e nevojshme për të finalizuar ARMËPUSHIMIN 60-DITOR, gjatë të cilit do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”, shkroi ai.

Trump shtoi se propozimi përfundimtar do t’i dorëzohet Hamasit përmes ndërmjetësve, duke theksuar se është një mundësi që nuk do të përsëritet: “Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të ketë një ofertë më të mirë, vetëm më të keqe.”

Duke folur më herët për gazetarët, Trump tha se shpreson që armëpushimi të mund të arrihet “gjatë javës së ardhshme”. Ai gjithashtu konfirmoi se do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington.

“Ai do të vijë këtu. Do të flasim për shumë gjëra”, tha Trump. “Do të flasim për suksesin e madh që kemi pasur në Iran… dhe për Gazën.”

Gjenocidi i Izraelit në Gaza

Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Sipas të dhënave nga agjencia palestineze WAFA, mbi 56.600 palestinezë janë vrarë deri më tani, shumica gra dhe fëmijë. Autoritetet palestineze gjithashtu njoftojnë se rreth 11.000 persona dyshohet se janë ende nën rrënoja të banesave të shkatërruara.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve të pavarur, numri real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, deri në 200.000 të vdekur.

Pavarësisht kritikave nga zyrtarë të lartë amerikanë për numrin e madh të civilëve të vrarë, ShBA-ja ka vazhduar të furnizojë Izraelin me ndihmë ushtarake, duke mos vendosur ende kushte për transferimin e armëve.

Që nga tetori 2023, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar mbi 22 miliardë dollarë për të mbështetur operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza dhe në rajonin përreth. Ndërkohë, buxheti vjetor i ndihmës ushtarake për Izraelin kap shifrën 3.8 miliardë dollarë

Related posts

Ndërron jetë 39-vjeçarja nga Istogu, e prekur nga coronavirusi

dardanianews

Publikohen pamje nga momenti kur ushtria izraelite rrëzon dronët iranianë

dardanianews

Tadiq: Pas vrasjes së Gjingjiqit dhe Ivanoviqit, njerëzit e Sheshelit synojnë Trajkoviqin, Vuçiq është ndjekës i ideologjisë së tij

dardanianews