Profesori Enver Bytyçi tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qëndruar pa qëllim jashtë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se roli i tyre ka qenë i pranishëm, por i deleguar te autoritetet e Brukselit.

Sipas tij, përgjegjësia dhe aktiviteti i këtij dialogu janë mbuluar nga autoritetet e Brukselit dhe jo nga Uashingtoni, ndërsa qëndrimi i SHBA-ve jashtë procesit do të sillte një moment në të cilin ato do të deklaronin qartë pozicionin dhe interesat e tyre jetike në Kosovë, duke çuar edhe në mënjanimin e një dialogu tashmë të përfunduar, pasi SHBA-të besojnë se procesi ka marrë fund që në Vjenë, me përcaktimin e statusit të Kosovës.

“SHBA kanë qëndruar jo pa qëllim jashtë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë qenë prezent, por përgjegjësia dhe aktiviteti i këtij dialogu është mbuluar nga autoritetet e Brukselit dhe jo Uashingtonit. Qëndrimi jashtë këtij dialogu do të sillte një moment ku SHBA-të do të deklaronin pozitën e tyre dhe interesat e tyre jetikë në Kosovë, dhe për pasojë edhe mënjanimin e dialogut tashmë të përfunduar, sepse SHBA-të besojnë se dialogu ka përfunduar në Vjenë për statusin e Kosovës”, deklaroi Bytyçi në Euronews Albania.

“Me lëshimet që janë bërë në Vjenë, lëshime kushtetuese për pozitën e minoritetit serb dhe minoriteteve të tjera në Kosovë. Janë lëshime që nuk i ka bërë asnjë vend tjetër evropian dhe demokratik. Ato lëshime do të mbeten në fuqi sepse kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa 2/3 e pakicave. SHBA-të mendojnë se janë kundër çdo lëshimi tjetër përveç atyre çfarë përcakton kushtetuta e Kosovës. Rekomandime dhe disa rregullime mund të bëhen, por pa cënuar sovranitetin, integritetin territorial dhe kushtetutën e Kosovës”.

“Në këtë aspekt, është një hap pozitiv, por edhe një hap madhor në funksionimin e shtetit dhe në zhvillimin e shtetit të Kosovës. Problemi që qëndron është njohja reciproke e të dyja vendeve, kjo do të ndodhë sepse SHBA-të kanë përshpejtuar hapat për të vendosur autoritetin e tyre në disa vende, të cilat kanë qenë satelite të Rusisë edhe të Kinës. Vendosja e autoritetit tek Venezuela, Siria, Irani dhe vende të tjera ka dërguar mesazhe të qarta dhe SHBA-të janë përpara një riformatimi të rendit botëror, e cila do të thotë që duhet të jesh real. Edhe ky dokument i SHBA-ve për Kosovën bëhet në këtë kuadër, që do të thotë se edhe Kosova, ashtu si vendet e tjera, është në interes të SHBA-së dhe do të jetë pjesë e ardhshme e rendit botëror”, u shpreh profesori.