19.4 C
New York
July 8, 2026
DardaniaNews
AnalizaLajme

Koha për Bashkim, Përgjegjësi dhe Ringritje të LDK-së

Shkruan: Osman Ferizi

Letër e hapur drejtuar Kryetarit, Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, strukturave dhe anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës

“Nuk ka ringritje pa përgjegjësi. Nuk ka bashkim pa demokraci. Nuk ka të ardhme pa reformë.”
Të nderuar anëtarë të Kryesisë, kryetarë të degëve dhe nëndegëve, delegatë, veprimtarë dhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Kjo letër nuk shkruhet nga mllefi, por nga dhimbja. Nuk buron nga interesi personal, por nga përgjegjësia morale ndaj LDK-së, historisë së saj dhe mijëra veprimtarëve që sakrifikuan për ta ndërtuar këtë shtëpi politike.
Po ju drejtohem edhe me përgjegjësinë time si ish-Kryetar i Degës së LDK-së për Gjermani. Pesë-gjashtë vjet më parë kam ngritur publikisht shqetësimet për drejtimin që po merrte partia gjatë udhëheqjes së Isa Mustafës dhe më pas të Lumir Abdixhikut. Atëherë më është kërkuar vetëm një gjë: “Na jepni kohë. Po nguteni. Nuk është momenti.”
Sot, pas pesë vitesh, kam vetëm një pyetje:
A nuk ju mjaftoi koha?
Pesë vite janë më shumë se një mandat. Janë kohë e mjaftueshme për të dëshmuar vizion, lidership dhe rezultate. Fatkeqësisht, këto vite u shndërruan në vite stagnimi, përçarjeje, largimi të kuadrove, kapjeje të strukturave dhe humbjeje të besimit të anëtarësisë.
Është e dhimbshme dhe e turpshme që LDK-ja – partia me historinë më të madhe shtetformuese në Kosovë, partia që udhëhoqi rezistencën paqësore, ndërtoi institucionet e para të Republikës dhe krijoi aleancat strategjike me botën demokratike – të jetë katandisur në një forcë politike që lufton për vendin e tretë.
Edhe më e dhimbshme është që epërsinë politike ta ketë marrë një forcë që kapitalin e saj e ndërtoi mbi populizmin, premtimet e pambajtura dhe retorikën përçarëse. Qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin kë të duan, por kjo nuk e zbeh përgjegjësinë tonë. Kur humbet vazhdimisht besimin e qytetarëve, nuk mund të fajësosh vetëm kundërshtarët; fillimisht duhet të përballesh me gabimet e tua.
Problemi nuk është vetëm humbja e zgjedhjeve.
Problemi është humbja e identitetit politik.
LDK-ja nuk mund të mbijetojë duke u mbështetur vetëm në historinë e saj. Historia është themeli ynë, por nuk mjafton për të ndërtuar të ardhmen.
Sot LDK-së i duhet një kauzë e re politike. I duhet një vizion i qartë për Kosovën e dekadës së ardhshme. I duhet një strategji moderne zhvillimi dhe një program serioz për ekonominë, arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, diasporën dhe integrimin euroatlantik. I duhet një lidership që frymëzon, bashkon dhe rikthen besimin.
Mbi të gjitha, LDK-ja duhet t’i rikthehet demokracisë së brendshme. Nuk mund të kërkojmë demokraci për Kosovën, ndërsa ta mohojmë atë brenda partisë sonë.
Po ashtu, LDK-ja nuk guxon të bëhet pjesë e pazareve politike dhe as shtojcë e interesave të partive të tjera si PDK e as VV sepse që të dyja kanë dasht vdekjen e saj fizike e politike. LDK-ja ka identitetin e saj – një parti e qendrës së djathtë, me filozofi rugoviane, orientim të qartë euroatlantik dhe vizion shtetformues. Çdo devijim nga këto parime e dëmton seriozisht besueshmërinë e saj.
Prandaj kërkojmë:

  • Dorëheqje kolektive të strukturave që mbajnë përgjegjësi për gjendjen e krijuar.
  • Fillimin e një procesi të thellë reformash, pajtimi dhe bashkimi.
  • Organizimin e zgjedhjeve të lira, të fshehta dhe demokratike në çdo nivel të partisë.
  • Fundin e sistemit të delegatëve të dirigjuar dhe rikthimin e vendimmarrjes te anëtarësia përmes votës së lirë dhe të fshehtë.
  • Ndryshime statutare që garantojnë demokraci të brendshme dhe lejojnë organizimin e fraksioneve si kulturë demokratike dhe alternativë politike.
  • Ndërtimin e një LDK-je mbi meritokracinë, integritetin, përgjegjësinë dhe orientimin e palëkundur euroatlantik, e jo mbi kryetarokracinë dhe interesat e grupeve të ngushta.
    Mos kërkoni më kohë.
    Koha ju është dhënë.
    Mos kërkoni më durim.
    Durimi i anëtarësisë është shndërruar në zhgënjim.
    Mos kërkoni më justifikime.
    Rezultatet flasin më fort se çdo deklaratë.
    Problemet e LDK-së nuk zgjidhen me postime në Facebook, me viktimizim apo me deklarata emocionale. Ato kërkojnë takime urgjente, analiza të sinqerta dhe vendime të guximshme, të bazuara në realitet, jo fasada në emër të një uniteti të rremë që shërben vetëm për mbijetesën e klaneve dhe grupeve të interesit.
    Që nga vdekja e Presidentit historik Ibrahim Rugova, këto klane kanë kontribuar në dobësimin e vazhdueshëm të LDK-së. Nëse nuk gjeni forcën për ta ndalur këtë degradim, atëherë nuk meritoni as votën dhe as besimin e anëtarësisë.
    Kjo nuk është një letër kundër LDK-së.
    Përkundrazi.
    Është një thirrje për ta shpëtuar atë.
    LDK-ja nuk është pronë e askujt. Ajo është amaneti politik i Presidentit Ibrahim Rugova dhe i mijëra grave e burrave që e ndërtuan me sakrificë, përkushtim dhe idealizëm.
    Historia nuk do të na gjykojë për fjalët që themi sot, por për vendimet që marrim sot.
    Koha për bashkim të vërtetë është tani.
    Koha për përgjegjësi është sot.
    Koha për ringritjen e LDK-së nuk pret më.

Me respekt,
Oso Ferizi
Ish-Kryetar i Degës së LDK-së për Gjermani
08.07.2026

Related posts

Berisha “non grata”, më në fund reagon edhe Ilir Meta: Akti i shëmtuar, i pabesë dhe i poshtër

dardanianews

Ky është orari i ri i qarkullimit për qytetarët

dardanianews

E rëndë: Shoku i klasës i kërkon Besnik Mustafës, ta mbys babain për hirë të popullit

dardanianews