Shqiptarët e Kosovës mbetën edhe gjatë vitit 2025 grupi kryesor i turistëve që vizituan Shqipërinë, duke konfirmuar rolin vendimtar të ashtuquajturit “turizëm patriotik” në bilancin e sektorit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT mbi Lëvizjen e Shtetasve, nga gjithsej rreth 12.46 milionë hyrje në vend, 4.66 milionë ishin nga Kosova, ose 37.4 për qind e totalit.
Italianët ruajtën pozicionin si grupi i dytë më i rëndësishëm i turistëve, me 1.29 milionë hyrje gjatë vitit 2025. Megjithatë, rritja vjetore ishte vetëm 3.17 për qind krahasuar me 2024-ën, një ngadalësim i ndjeshëm në raport me vitin e kaluar, kur rritja kishte qenë mbi 31 për qind.
Turoperatorët pohojnë se gjatë sezonit veror të vitit 2025 u vu re një zbehje e interesit nga turistët italianë, sidomos për Jugun e Shqipërisë. Sipas tyre, shtrenjtimi i çmimeve në disa zona bregdetare bëri që Shqipëria të mos perceptohej më si destinacion “i lirë”, çka solli anulime rezervimesh ose ndryshim destinacionesh.
Megjithatë, italianët mbeten të rëndësishëm për turizmin gjithëvjetor, veçanërisht për fundjavat në Tiranë dhe Durrës, si dhe për turizmin kulinar e rural. Operatorët theksojnë se çmimet në restorante dhe përvoja gastronomike vazhdojnë ta mbajnë Shqipërinë konkurruese për këtë treg.
Në rënie gjatë 2025-ës ishin edhe turistët polakë, të cilët arritën në 288 mijë hyrje, ose 2.8 për qind të totalit. Sipas operatorëve, kjo rënie nuk lidhet me turizmin e organizuar, i cili vijon të rritet, por me turistët individualë, që pas një periudhe promovimi intensiv, kishin zgjedhur të udhëtonin në mënyrë të pavarur. Po ashtu, shënuan rënie edhe hyrjet nga Turqia dhe Spanja.
Ndërkohë, Gjermania dhe Franca rezultojnë tregjet me rritjen më të fortë. Gjatë vitit 2025, hyrjet nga Gjermania u rritën me 17.27 për qind, duke arritur në 452 mijë vizitorë. Ky grup vjen kryesisht përmes tureve kulturore, por edhe gjatë sezonit veror.
Edhe Franca shënoi një rritje të ndjeshme prej 25.39 për qind, me 293 mijë hyrje. Operatorët turistikë presin që ky trend të vijojë edhe gjatë këtij viti.
LAJMIN E PLOTË E GJENI NË WEB.

