DEKLARATË PUBLIKE
nga Oso Ferizi
Thirrje Delegatëve të Kuvendit të LDK-së
Të nderuar delegatë të Kuvendit të LDK-së,
Kuvendi i 30.06.2026 është një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vendimi që do të merrni nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e një kryetari apo të një kryesie, por me fatin e një partie që ishte bartëse e lëvizjes demokratike dhe shtetformuese të Kosovës, nën udhëheqjen vizionare të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova.
Prandaj, mos u bëni vegla të interesave personale, të pazareve politike apo të ndikimeve të kryetarit aktual, të kryetarëve të degëve, e aq më pak të interesave të partive rivale, qofshin ato PDK apo VV që ishin dhe janë dashakeqe . Delegati duhet të jetë zëri i ndërgjegjes së anëtarësisë dhe jo instrument i grupeve të interesit.
LDK-ja nuk u dobësua rastësisht. Ajo u soll në këtë gjendje nga ambiciet e shfrenuara, egoja personale, mungesa e përgjegjësisë dhe largimi nga vlerat mbi të cilat u ndërtua. Për më shumë se dy dekada u thirrët në emrin dhe trashëgiminë politike të Rugovës, por në praktikë u larguat nga filozofia e tij politike, nga kultura e përgjegjësisë dhe nga fryma e unitetit.
Shumë prej jush patën privilegjin të bëhen deputetë, ministra dhe bartës të funksioneve të larta shtetërore falë besimit të anëtarësisë dhe qytetarëve. Fatkeqësisht, një pjesë e atij besimi u keqpërdor. Në vend të forcimit të LDK-së, u forcuan interesat personale, grupore dhe klienteliste, ndërsa partia humbi besimin e elektoratit.
Sot nuk kërkohen arsyetime. Kërkohet përgjegjësi.
Asnjëherë nuk u bë një analizë serioze dhe e besueshme për humbjet zgjedhore. Asnjëherë nuk u kërkua llogari nga ata që e sollën LDK-në në rënie. Përkundrazi, të njëjtët njerëz vazhduan të kontrollojnë proceset, duke e larguar gjithnjë e më shumë partinë nga anëtarësia dhe nga idealet e saj.
Mërgata, e cila për dekada ka qenë një nga shtyllat kryesore të LDK-së, u la pas dore dhe u trajtua pa respektin që meriton. Kontributi i saj nuk mund të kujtohet vetëm në kohë zgjedhjesh.
Ju bëjmë thirrje që në këtë Kuvend të votoni me ndërgjegje, jo me urdhra. Mos votoni nga frika, nga detyrimet apo nga pazaret politike. Votoni për ta kthyer LDK-në te vlerat e saj, te demokracia e brendshme, te meritokracia dhe te uniteti.
Nëse edhe këtë herë zgjidhni heshtjen dhe interesin personal para interesit të LDK-së, atëherë përgjegjësia historike do të jetë mbi ju. Askush nuk do të mund të thotë se nuk e dinte gjendjen në të cilën ndodhet partia.
Ne nuk kemi heshtur nga frika. Kemi heshtur për të mos e dëmtuar LDK-në dhe për të ruajtur unitetin e saj. Por çdo durim ka një kufi. Ai kufi është tejkaluar.
Historia nuk i fal ata që, për interesa personale, e dobësojnë shtëpinë që e ndërtuan breza të tërë veprimtarësh me sakrificë.
LDK-ja është më e madhe se çdo kryetar, më e madhe se çdo grup dhe më e madhe se çdo interes personal. Ajo u ndërtua me sakrificën e mijëra veprimtarëve dhe duhet t’u kthehet vlerave mbi të cilat u themelua nga Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova.
Delegatë, historia do ta kujtojë votën tuaj. Votoni me ndërgjegje, për LDK-në dhe jo për individët.
Me respekt dhe besim të lëkundur në ju,
Oso Ferizi
Ish-anëtar i LDK-së që nga themelimi dhe ish-Kryetar i Degës së LDK-së në Gjermani (2019–2023).
28.07.2026

