Një grua me origjinë nga Kosova është kthyer në heroinën e ditës në Zvicër, pasi i shpëtoi jetën një djali 4-vjeçar që rrezikoi të mbytej në një pishinë publike.Nazlie Selimaj, 34 vjeçe, po kalonte një ditë me familjen në pishinën Bergholz në Wil, kur pa një baba që nxori nga uji djalin e tij të vogël, i cili ishte pa ndjenja.Pa humbur asnjë sekondë, ajo vrapoi drejt tyre, mori fëmijën në krahë dhe nisi menjëherë t’i jepte ndihmën e parë. Duke qenë se punon si asistente infermiere, Nazlia e kuptoi menjëherë se situata ishte kritike.Pasi nuk arriti t’i ndiente pulsin, ajo e shtriu 4-vjeçarin në tokë dhe filloi masazhin kardiak. Pas pak çastesh, vogëlushi rifitoi vetëdijen, ndërsa babai i tij, i tronditur nga ajo që kishte ndodhur, u rrëzua pa ndjenja.Edhe pse fëmija kishte hapur sytë, Nazlia këmbënguli që të thirrej urgjentisht ambulanca, pasi vuri re se ai ishte shumë i zbehtë dhe kishte gishtat e mavijosur nga mungesa e oksigjenit.4-vjeçari u transportua në spital në gjendje të stabilizuar dhe, pas trajtimit, u kthye në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.Babai i vogëlushit e falënderoi disa herë Nazlien për guximin dhe reagimin e saj, ndërsa ajo u shpreh me modesti:”Është një ndjenjë e bukur. Në një situatë të tillë, thjesht ndihmon.”

