November 23, 2026
DardaniaNews
Lajme

Shqipëria sulmoi me dron luftanijen ruse? Ministria e Mbrojtjes zbulon detajet

Ministria e Mbrojtjes ka zbardhur informacione në lidhje me lajmet e rreme se Shqipëria është përfshirë në sulm me dronë detarë ndaj një luftanijeje ruse pranë brigjeve të Libisë.Sipas Mbrojtjes, platforma Clash Report, e ndjekur nga Visioner, ka përhapur pretendimin se dronët e përdorur për goditjen e anijes ruse janë nisur nga territori shqiptar, duke përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe.

“Ky pretendim nuk shoqërohet me asnjë provë të verifikueshme për vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Paraqitja e një informacioni të tillë si fakt, pa prova dhe pa verifikim të pavarur, krijon një narrativë dezinformuese që e lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e ka përgënjeshtruar zyrtarisht pretendimin. Ministria e Mbrojtjes konfirmon se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë.

Duhet bërë dallimi mes raportimeve për sulmin ndaj anijes ruse dhe pretendimit se ai është organizuar apo realizuar nga territori shqiptar. Ekzistenca e një sulmi nuk provon origjinën e mjeteve të përdorura dhe aq më pak përfshirjen e Shqipërisë.

Ministria e Mbrojtjes mbështet qëndrimin zyrtar të MEPJ-së dhe e konsideron lidhjen e pabazuar të Shqipërisë me këtë operacion një informacion çorientues, që nuk duhet të riprodhohet si fakt i konfirmuar.

Përgjegjësia në raportimin e çështjeve të sigurisë kërkon dallimin e qartë mes fakteve të verifikuara dhe pretendimeve të pambështetura në prova”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Related posts

“Kur do të ndalësh vrasjen e civilëve”, BBC: Putin pas një kohe përballet me gazetarë të pavarur, ata rusë s’ia bëjnë këto pyetje

dardanianews

Vetëm se e fali xhumanë, mësuesi kosovar rrah nxënësin jetim – ia humb dëgjimin me shuplakë

dardanianews

Shqiptarët e Kosovës gjatë komunizmit në Shqipëri: Na u nxi jeta në burgje e kampe

dardanianews