Qeveria Kurti 2 pritet që të betohet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës deri në fund të këtij muaji. Lëvizja Vetëvendosje, që e vetme siguroi 58 mandate, ka nisur komunikimet me subjektet e komuniteteve pakicë joserbe për të siguruar 61 votat e nevojshme, ndonëse dy deputetë tashmë kanë shprehur publikisht gatishmërinë për të votuar qeverinë e re.
Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një intervistë, beson se presidentja në detyrë Vjosa Osmani nuk do të humbasë kohë dhe do të thërrasë seancën e parë të legjislaturës së tetë e gjithashtu do të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të LVV-së, që në këtë rast do të jetë Albin Kurti.
Haxhiu tha se situata me pandeminë por edhe zgjedhja e presidentit janë arsye që institucionet të formohen sa më shpejtë.
Haxhiu: Deri në fund të marsit do ta kemi Qeverinë Kurti 2
Unë nuk besoj që do i konsumoj të gjitha këto 30 ditë (afate ligjore), besoj që presidentja apo ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani do e thërras seancën më shpejt duke pasur parasysh rëndësinë për t’u krijuar institucionet legjitime që kanë dal nga votat e qytetarëve, e pastaj që padyshim besoj që aty afër do formohet edhe qeveria e re që është shumë e rëndësishme edhe për shkak të pandemisë që po përballemi por jo vetëm. Unë besoj që nëse gjithçka shkon kështu siç aktualisht po shkon, fundi i marsit padyshim që do na zë me qeveri të re, dhe pastaj me duhet të bëhemi gati që ta zgjedhim edhe presidentin e ri për faktin se aktualisht jemi me ushtruese detyrës dhe ditët po shkojnë. Pra, ne jemi si me thënë edhe peng i kësaj sepse ne duhet të veprojmë më shpejt në mënyrë që Kosova të mos mbetet pa zgjedhjen e presidentit të ri”, theksoi Haxhiu.
Haxhiu, duke shprehur gatishmërinë që edhe në Qeverinë Kurti 2 të marrë përgjegjësitë si ministre e Drejtësisë, tha se ende nuk dihen emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të kabinetit të ri qeveritar.
Mirëpo, Haxhiu garantoi se ministrat e rinj, emrat e të cilëve që do të bëhen shpejt të ditur, do të jenë persona me integritet të lartë moral, politik dhe profesional.
Haxhiu: Nuk i kemi diskutuar emrat e ministrave
“Ajo çka dihet tani për tani është emri i kryeministri dhe emri i presidentes, zotëri Albin Kurti kryeministër i ardhshëm dhe zonja Vjosa Osmani presidente e ardhshme. Nuk dihen ende emrat e zëvendëskryeministrave apo emrat e ministrave apo ministreve, dhe besoj që shumë shpejt ajo do bëhet publike. Ne jemi në fazat e komunikimit edhe brenda partisë, besoj që shumë shpejt do i kemi për qytetarët edhe emrat e Qeverisë Kurti 2. Ajo çka dihet patjetër është se do jenë persona që do ta kenë integritetin më të lartë profesional, moral dhe politik, sepse me aq shumë sfida do përballemi sa që vetëm një qeveri e tillë me persona të tillë do ia dal mbanë. Unë do jem aty kudo që e vlerëson dhe konsideron Lëvizja Vetëvendosje dhe organet e partisë, padyshim që asnjëherë nuk i jam frikësuar pozicioneve që kam mbajtur dhe do i kryej me përgjegjësinë më të lartë morale dhe qytetare”, thotë ajo.