Me një pamje mahnitëse dhe pastërti në nivel, do të jetë atraksion këtë verë për vizitorët brenda dhe jashtë Kosovës.
Me guaskë të lyer, investime në amfiteatër dhe në terrenin sportiv, renovim të tualetit, shtretër për relaksim, gjelbërim të shtuar, si dhe me kënd të ushqimit dhe aktivitete të shumta artistike për të gjitha grupmoshat, ka ardhur pishina e Gërmisë këtë vit.
Megjithatë, të gjithë frekuentuesit e kësaj pishine tani do të paguajnë për 2 euro më shtrenjtë sesa vitin e kaluar për të hyrë në pishinë.
Kjo pasi sipas drejtorit të ‘Sport Marketing’, Bardh Krasniqi, është bërë pas ndërrimit të çmimeve.
Ai theksoi po ashtu edhe mungesën e punëtorëve për mirëmbajtje.
“Për shkak të ndërrimit të çmimeve, pastërtinë e kemi deri në 100 për qind më shumë. Mirëpo ne po e kemi edhe problem që t’i gjejmë punëtorët për mirëmbajtje edhe pse ua kemi ngritur pagat. Për fëmijë hyrja është 2 euro, kurse për të rritur 4 euro. Kjo çmimore nuk ndërron as në vikend, as gjatë ditëve të javës”.
E Krasniqi thotë se investimi është bërë për të shtuar edhe numrin e vizitorëve në pishinë.
“Për ta shtuar numrin e vizitorëve ne e kemi bërë investimin, në mënyrë që të shtohet edhe shpirti i pishinës, sepse ky vend është perlë. Nuk ka pishinë të përmasave të tilla në rajon. Kjo është për qytetarët që të vijnë ta shijojnë freskinë e Gërmisë. E pritshmëritë e mia janë që numri i vizitorëve do të kthehet siç ka qenë në vitin 2005”.
Pamjen e re të pishinës e pëlqyen edhe disa nga vizitorët që kishin ardhë që në ditën e parë të hapjes.
Madje në mesin e tyre ishin vizitorët edhe nga Shqipëria dhe nga Maqedonia.
Qytetarët që do të shërbehen me shezlongët e bukur dhe shtretërit me ngjyra do të duhet të paguajnë 8 euro për ta, kurse 4 euro për pushimoret e thjeshta me çadër.
Kjo pagesë do të bëhet ekstra nga pagesa e hyrjes në pishinë.
Vitin e kaluar kjo pishinë ishte hapur më 12 qershor, kurse sivjet është shtyrë hapja e saj për shkak të motit me shi.
© KOHA.