Në një botë ku teknologjia ka arritur kulmin e saj, janë hapur dhe shumë aplikacione të ndryshme, të cilat ndihmojnë njerëzit në shumë aspekte të jetës.
Një ndër ta është edhe aplikacioni “Waze”, i cili po përdorët nga vozitësit anë e mbanë Kosovës për t’u ikur gjobave të policisë së trafikut.
Waze, aplikacioni i njohur për ndihmën që i ofron shoferëve në lidhje me trafikun dhe rrezikshmërinë e rrugëve, ka marrë përmasa të gjera së fundmi në Kosovë.
Ky aplikacion ka prodhuar hartën e parë të drejtpërdrejtë në botë me shoferë nga të gjitha vendet për t’u ofruar përdoruesve informacion në kohë reale, duke treguar pranishmërinë e policëve në secilën rrugë.
Po ashtu përdoruesit e këtij app-i raportojnë vendndodhjen e policisë, aksidentet, bllokimet e trafikut, kurthet e shpejtësisë, dhe ndërtimet në rrugë.
Gjatë këtyre ditëve përmes rrjeteve sociale në Kosovë dhe jo vetëm, janë duke u shpërndarë video të shumta të përdoruesve të këtij aplikacioni.
Siç edhe po shihet në videot e shpërndara në “Tik Tok” ka raportime të shumta të qytetarëve për vendndodhjen e policisë.
Nga komentet e ndryshme të bëra në videot e shpërndara në këtë platformë duket një interesim i madh për përdorimin e tij.
Përveç që mund të ndihmojë vozitësit t’u shpëtojnë gjobave në trafik Waze mund të lehtësojë ikjen dhe fshehjen e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë, duke u ndihmuar që në asnjë mënyrë të mos bien në duar të organeve të ndjekjes.
Ekspert i trafikut, Fisnik Çavolli tha se ekziston rreziku i keqpërdorimit të këtij aplikacioni.
“Disa shoferë mund ta përdorin atë për të shmangur kontrollet policore ose për të dhënë informacione të pasakta. Kjo mund të dëmtojë përpjekjet për sigurinë rrugore dhe të krijojë situata të paparashikuara për autoritetet”, tha ai.
Sipas tij ky nuk është rreziku i vetëm.
“Aplikacioni mund të ndikojë negativisht edhe duke shpërqendruar shoferët që shikojnë ekranin e telefonit gjatë vozitjes”, u shpreh Çavolli.
Arbresh.info ka pritur dy ditë për të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës nëse është në dijeni për përdorimin e këtij aplikacioni, dhe se a pritet të merren masa rreth bllokimin e tij../Arbresh.info/Qëndresa Luma