October 18, 2025
DardaniaNews
FeaturedLajme

Çka ndodhi me ish-punëtorin që i denoncoi Ramush e Daut Haradinajn për rrahje

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe vëllai i tij, deputeti Daut Haradinaj, para rreth tre muajve janë denoncuar në polici për “rrahjen e një punëtori të tyre”.

Në dokumentet të cilat i ka siguruar KOHA, Haradinajt i ka denoncuar në Polici një mjeke kujdestare, e cila i ka dhënë ndihmë mjekësore një personi me lëndime trupore të cilat, sipas tij, ishin pasojë e rrahjes nga vëllezërit Haradinaj.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Ka thënë se e kanë intervistuar ankuesin dhe se në konsultim me prokurorin është iniciuar rast për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.

Por pas dy javësh ankuesi ka shkuar në stacion policor dhe ka kërkuar që rasti të mbyllet. Gati 3 muaj prejse ka ndodhur ky rast, siç ka mësuar KOHA, vëllezërit Haradinaj ende nuk janë intervistuar në asnjë cilësi.

Sipas dokumenteve dyshohet se e tëra ka nisur më datë 22 qershor 2020, pak minuta para orës 15:00, ku një person ka kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në afërsi të ndërtesës së Telekomit, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, jo shumë larg nga selia e AAK-së. Pacienti, identiteti i të cilit është i njohur për KOHËN, kur ka kërkuar shërbime shëndetësore sipas shkresës, ka pasur lëndime në trup dhe në sy. Mjekja e cila e ka kontrolluar pacientin e ka njoftuar Policinë menjëherë pas ekzaminimit.

Në raportin e Policisë së Kosovës, të cilin e posedon gazeta, ajo ka përmendur emrat e vëllezërve Haradinaj si shkaktarë të lëndimeve.

Related posts

Arbana Xharra largohet përfundimisht nga PDK? “Kapet” keq me Ganimete Musliun

dardanianews

Këto armë po kërkon Ukraina nga NATO për ta arritur fitoren e plotë

dardanianews

Kush e vrau Ahmet Krasniqin?! – Historinë e padëgjuar e rrëfen Naser Vllasi

dardanianews