Një rrëfim i veçantë për financimin e mbrojtjes së armatosur në Kosovë nga institucionet tona, të Republikës së Kosovës, vjen nga Saim Tahiraj, ish koordinator i grupeve të armatosura për jashtë vendit. Sipas rrëfimit të tij në intervistën për gazeta “Bota sot”, rezulton se Fehmi Agani kërkonte që të kishte aksione kundër policisë serbe, në mënyrë që Perëndimi ta kuptonte se Kosova mund të shkonte drejt një lufte me Serbinë, dhe ta kthente vëmendjen kah shqiptarët.
Po ashtu është e vështirë të kuptohet se si Bujar Bukoshi, si kryeministër i Kosovës, edhe pse paratë mblidheshin për interesa të shtetbërjes dhe arritjes së Pavarësisë, ai i sabotonte veprimet dhe i pengonte përpjekjet për organizimin efikas të mbrojtjes.
“Bota sot”: Cila është e vërteta për financimin e organizimit të grupeve guerile të përgatitura në organizimin e LDK-së, që ishin stërvitur në Shqipëri. Kush kërkonte nga ju (grupet) të vepronit, dhe cilat ishin mesazhet?
Saim Tahiraj: Në vitin 1991 për organizimin dhe ushtrimet ushtarake të të dyja grupeve në Surel në Shqipëri, i ka mbuluar fondi “Humanitar gjithëkombëtar”, që kryesisht ishte fond i LDK-së. Nga ajo kohë e deri në vitin 1993 nuk kemi pasur mbështetje financiare nga askush, jemi financuar nga xhepat tonë dhe të disa shokëve.
Në vitin 1993 u takuam fillimisht me profesor Aganin në zyrën e LDK-së në Shtutgart, pjesëtarët e “Grupit të Deçanit”, në përbërje Sali Çekaj, Zymer Lulaj, Shefqet Baqaj, Zenun Idrizaj, Saim Tahiraj. Nga “Grupi i Llapit” ishte Ismet Abdullahu si përfaqësues i tij! Profesor Agani ishte shumë i vendosur se duhet të shtohen aksionet guerile sepse bisedimet në tavolinë nuk po e japin rezultatin e dëshiruar. Duhet ta provokojmë situatën në terren, me aksione guerile kundër policisë serbe, në mënyrë që në bisedime tu themi se situata po na del nga kontrolli jonë dhe po e marrin në dorë grupet radikale. Na urdhëroi që asnjë veprim pa koordinim nuk guxonte të ndërmerrej sepse mund ta dëmtoni procesin. “Vetëm atëherë kur ne ju themi veproni, ju duhet të veproni”, na porositi Agani. U pajtuam dhe nga aty shkuam në aeroportin e Shtutgartit. Ku në po atë përbërje u takuam me kryeministrin Bukoshi. Profesor Agani ju drejtua Bukoshit, “i sheh këta djem?” Çfarë të kërkojnë duhet t’ua plotësosh kërkesat”. Bukoshi u pajtua dhe tha që ta caktojmë një person që tani e tutje vetëm me të të kishte kontakt. U caktua Salih Çekaj dhe kështu përfundoi takimi. Ne u ndamë shumë të kënaqur se njëherë e përgjithmonë po përfundonte problemi i financimit!
“Bota sot”: Me sa para i ka ndihmuar organizimet e luftës, grupet që vepronin nën udhëheqje të institucioneve të Kosovës, Qeveria e Republikës?
Tahiraj: Pas atij takimi ky grup i ka marrë 10.000 marka dhe ka blerë armatim të nevojshëm. Një pjesë të armatimit e ka siguruar Salih Çekaj në Gjermani, jashtë kësaj pagese, edhe diçka tjetër ka siguruar grupi nga Zvicra plus këto me parat që dha Bukoshi, dhe si tërësi me rreth 30.000 DM u ble armatim. Ky grup duke iu bashkuar edhe Nazmi Ajeti nga “Grupi i Llapit” udhëton dhe e dërgon në Kosovë armatimin. Më vonë me atë armatim janë kryer disa aksione guerile kundër policisë dhe shtëpive të kolonëve serbë në Junik dhe Baballoç.
“Bota sot”: Kush i bënte kërkesat apo bisedimet për mbështetje financiare nga Qeveria, a vazhdoi t’i bënte Salih Çekaj?
Tahiraj: Të gjitha kërkesat dhe raportimet për punën e kryer i bënte Salih Çekaj. Por, që të gjitha kërkesave të tjera nuk iu është përgjigjur kryeministri Bukoshi, arsyetimin nuk e dimë. Salih Çekaj dhe të gjithë ne jemi ndier të dëshpëruar dhe të fyer. E them me përgjegjësi të plotë se nga viti 1993 e gjerë me fillimin e luftës 1998, nuk kemi marr asnjë cent më nga Bukoshi. Profesor Agani ishte kategorik që aksionet guerile duhet vazhduar! Na tha, gjenduni si të mundeni, huazoni nga kolegë se gjërat do të rregullohen patjetër dhe se parat e huazuar do t’ju kthehen.
“Bota sot”: Si vepruat më pas, a u zgjidh kriza financiare, përkatësisht a u siguruan mjetet e domosdoshme për veprim?
Tahiraj: Pas kësaj situate shumë të keqe, ne vepruam me vetëfinancim, ndihmë nga shokët dhe huazime nga persona të besuar. U kryen shumë aksione. Dy shumë të rëndësishme, të cilat i vunë në lëvizje qendrat e vendosjes.
Krahas vështirësive financiare ne hasëm edhe në vështirësi të tjera. E para ishin komunikatat e të ashtuquajturit SHPUÇK e që në fakt ishte LPK-ja, e cila i lëshonte për aksionet që i kryenin grupet tona. Kjo na dëmtoi shumë sepse në emër të atyre komunikatave na u dënuan shumë shokë, me shumë vite burg. E dyta ishte, një pjesë e personave servil që e rrethonin presidentin Rugova, ishin të bindur se liria do të vinte me zgjidhje paqësore. Ata fare nuk kishin njohuri për strategjinë e kombinimit të lëvizjes paqësore para bashkësisë ndërkombëtare dhe rezistencës së armatosur në ilegalitet të plotë. Ata servil na dëmtuan shumë duke propaganduar se ato aksione guerile po i kryenin vetë serbët. Dikur filluan të na quanin të “KUQË”. Ata vetëkënaqeshin nëpër lokale të LDK-së dhe klube duke pirë dhe ngrënë mirë, e propagandonin kundër nesh. Ishin të bindur se Kosova do të çlirohej nga klube e lokale. Të tillët vazhduan edhe gjatë luftës dhe pas saj duke e quajtur LDK-në Lëvizje Paqësore, edhe pse LDK-ja ishte bartësja kryesore e rezistencës së armatosur dhe luftës së hapur në Kosovë. Sot e gjithë ditën, të tillët vazhdojnë me të njëjtin refren, LDK ishte lëvizje paqësore duke e mohuar anën tjetër të medaljes, rezistencën e armatosur, pa të cilën LDK-ja është gjysmake. Të tillët e mohojnë edhe Salih Çekajn dhe kurrë nuk bënë asgjë për të, e mohuan edhe Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Ahmet Hoxhën, Rrustem Bruqin e shumë të tjerë, që ishin pjesë përbërëse të rezistencës së armatosur të vijës institucionale që e udhëhoqi presidenti Rugova dhe LDK-ja.
“Bota sot”: Sipas dëshmive publike kryeministri i Republikës së Kosovës Bujar Bukoshi, i ka ndihmuar disa organizime të LPK-së në dy raste me 50 mijë DM, njëherë 30 mijë, dhe njëherë 20 mijë. Si e shpjegoni këtë pas më shumë se 25 viteve?
Tahiraj: Kryeministri Bukoshi, ndërsa e ndërpreu financimin tonë, të MM-së në Tiranë dhe të presidentit Rugova, filloi të koketonte me LPK-në, e cila ishte kundër presidentit Rugova dhe organizimit institucional, e bënte propagandën më të vrazhdë kundër tyre. Kjo jo vetëm që nuk e pengonte Bukoshin, por përkundrazi, i bashkonte një qëllim i tillë. Në vitin 1996 Bukoshi e financon LPK-në me 20 mijë DM në muajin korrik dhe me 30 mijë DM në shtator, derisa grupet tona dhe MM-në e bllokoi plotësisht me financa. Përpos që ne duhej të vetëfinancohemi si “Grupi i Deçanit”, ne u detyruam ta ndihmojmë edhe Adem Jasharin në vitin 1997 me 5.830 DM dhe në vitin 1998, shikoni dokumentin nga arkivat e Baden Wyrtenbergut me 20.700 DM.
“Bota sot”: Si e vlerësoni sjelljen e Bukoshit gjatë luftës?
Tahiraj: Fillimi i luftës dhe zhvillimet e saj ishin vet tragjedia e organizimit institucional. Edhe pse pati shumë premtime, realiteti ishte krejtësisht tjetër, shumë i dhimbshëm. Derisa ministri kolonel Ahmet Krasniqi bënte përpjekjet titanike për bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak, shtabi i LPK-së me ndihmën e pushtetit të atëhershëm në Tiranë minonte dhe shkatërronte ç’do gjë. Bukoshi këtu pati rol negativ duke ngrënë me dy lugë, në njërën anë me ministrin e tij dhe në anën tjetër e financonte edhe shtabin e LPK-së me miliona. Kjo vazhdoi derisa e pan rrezikun real, pasi që kolonel Krasniqi i forcoi formacionet e veta në veri të Shqipërisë, andaj ishte koha që duhej vepruar për tu evituar rreziku. Në shtatorin e kobshëm u vra në Tiranë ministri kolonel Ahmet Krasniqi, u asgjësua rreziku kryesor për bandat e LPK-së. Kombinimi i shtabit të LPK-së me ish pushtetin në Tiranë solli suksesshëm turpin historik të kombit tonë.
Një pjesë të përgjegjësisë e mban edhe ish kryeministri Bukoshi, koketimi në vazhdimësi me bandat e LPK-së ia vërteton këtë përgjegjësi. Kur ia shton gjithë kësaj edhe deklaratat e tij skandaloze të pasluftës, se nuk ka pasur FARK as MMRK, përgjegjësia vetëm sa i rëndohet! Si mund ta mohojë gjithë atë që u ndërtua me aq mund dhe sakrificë? Si mund ta mohojë pa fije turpi gjithë atë organizim në krye të të cilit ishte vet? Vetëm një i pa dinjitet dhe i pa moral mund ta bëjë këtë! Turpi të mbuloftë përjetësisht.