Projekti “Ballkani i Hapur” ka ‘ndarë’ shqiptarët në ty grupe, ata që e mbështetin atë (Qeveria e Shqipërisë) dhe ata që nuk e përkrahin atë (Qeveria e Kosovës).
Lidhur me këtë çështje ka pasur komente dhe polemika të shumta, ku shumica prej tyre kanë dal hapur kundër këtij projekti, madje e kanë quajtur edhe projekt serbo-rus.
Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Kosovë Lindore, Ragmi Mustafi krahas formimit të projektit të “Ballkanit të Hapur” deklaroi se kjo është një iniciativë për ndërtimin e ‘botës serbe’.
Ai për gazetën “Bota sot” u shpreh presidenti serb, Aleksandër Vuçiq përmes iniciativës së tij po synon të rikthejë politikat e përgjakshme dhe po bën ftesë për lufta të reja ballkanike.
Nën konceptin e politikës bashkëkohore nuk mund të përjashtohet procesi dekolonializimit, defashizimit e krejt në fund demillosheviqizimin e Serbisë si mundësi për demokratizim të rajonit dhe agravim të vlerave euro-perëndimore.
Konsideroj që Vuçiq nuk është shkëputur krejtësisht nga politikat e viteve të 90-ta. Përkundrazi, iniciativat për të ndërtuar “botën serbe”, në të cilin nuk do të ketë vend për tjerët, janë rikthim në politikat e përgjakshme dhe ftesë e hapur për lufta të reja ballkanike”, theksoi Mustafi.
Në vazhdim, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Kosovë Lindore potencoi se pa drejtësi për të kaluarën dhe pa barazi në të tashmen, e ardhmja mbetet e dehumanizuar.
“Pra, politika e së ardhmes nuk mund të shmang e mohojë të kaluarën. E ardhmja mund të artikulohet vetëm mbi të vërtetën që respekton dinjitetin njerëzorë në radhë të parë dhe të drejtat e liritë individuale dhe kolektive.
Pa barazi në të tashmen, pa drejtësi për të kaluarën e ardhmja mbetet e dehumanizuar dhe e zhveshur si statistikë ekonomike”, nënvizoi ai.
Në fund, Mustafi deklaroi se Kosova nuk mund të mbetet në kurthin e së kaluarës dhe mbështetja tek aleatët euro-perëndimor është alternativa e vetme.
“Megjithatë, e ardhmja nuk mund të mbetet në kurthin e së kaluarës. Si peng i historisë nuk guxojmë të ndërtojmë e projektojmë mbylljen si politikë bërje në një botë kaq dinamike. Të mbështeturit tek aleatët euro-perëndimor nuk ka alternativë”, përmbylli Ragmi Mustafi.