Driton Berisha, 37-vjeçar nga Kosova dhe azilkërkues në Gjermani, u bë protagonist i një ngjarjeje që tërhoqi vëmendjen në qytetin Villingen. Teksa po ecte me mikeshën e tij, pa punonjësit e një dyqani që po përpiqeshin të ndalonin një hajdut dhe vendosi të ndërhynte.
Hajduti ishte i armatosur me thikë dhe tentoi ta godiste disa herë. Dritoni i kërkoi të hidhte armën, por kur ai nuk u bind, shqiptari e goditi me grusht dhe e rrëzoi përtokë.
Vetë Dritoni pësoi një plagë të vogël në kofshë, por arriti ta mbante personin derisa iu dorëzua policisë. Një efektiv e quajti atë “Heroi nga Villingeni”.
Por përgjigjja e tij ishte ajo që preku më shumë: ai tha se gjermanët kishin ndihmuar Kosovën dhe atë vetë si refugjat, ndaj e konsideronte normale të ndihmonte edhe ai kur i jepej mundësia.

