Gjykata e Apelit në Serbia ka refuzuar ankesën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi ndaj ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, në padinë ndaj Ministrit të Brendshëm, Aeksander Vulin për gjuhë të urrejtjes dhe përdorimin e termit fyes për shqiptarët. Këtë vendim të Gjykatës së Apelit në Beograd e ka bërë të ditur vet Mustafi duke thënë se vendimi shpërfaq më së miri drejtësinë e sotme në Serbi.
Ai ka shkruar se Gjykata e Apelit e legalizoi termin fyes për shqiptarët dhe betejën do ta vazhdojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Edhe Gjykata e Apelit legalizon termin fyes “šiptari” dhe institucionalizon gjuhën e urrejtjes. vazhdojmë në Gjykatën kushtetuese! Gjykata e Apelit ka “refuzuar ankesën si të pabazuar të paditësit dhe vërteton aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Beograd”, në padinë ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, z.Aleksandër Vullin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Mustafi.
Ai u ka bërë thirrje BE-së, OSBE-së dhe ShBA-së që të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar.
“Kujtoj se të gjitha raportet relevante ndërkombëtare nënvizuan gjuhën e tij ksenofobe dhe raciste. I bëj thirrje BE-së, OSBE-së dhe SHBA-së të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar dhe ta parandalojnë gjuhën e urrejtjes kundër minoriteteve në Serbi, sepse lirimi i Ministrit Vullin nga akuzat e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit, “legalizon”, diskriminimin, ksenofobinë dhe racizmin ndaj shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë e gjetkë”, ka thënë Mustafi.