Europa Perëndimore është përballur me një verë jashtëzakonisht të nxehtë, ndërsa temperaturat rekord kanë prekur një pjesë të madhe të kontinentit.
NASA ka publikuar një video që tregon përhapjen e temperaturave ekstreme në Europë gjatë periudhës nga 1 maji deri më 19 gusht.
Sipas të dhënave të Agjencisë Hapësinore Amerikane, deri në mesin e gushtit kontinenti është përballur me pesë valë të të nxehtit.
Në shumë vende, temperaturat kanë kaluar 40 gradë Celsius, ndërsa rekordet janë thyer në mënyrë të përsëritur.
Ajo që e ka bërë situatën edhe më të rëndë është kohëzgjatja e nxehtësisë. Temperaturat e larta kanë vazhduar për ditë, madje edhe javë.
Pasojat janë ndjerë në disa sektorë. Spitalet kanë raportuar rritje të rasteve të lidhura me temperaturat e larta, ndërsa nxehtësia është shoqëruar edhe me një numër të shtuar vdekjesh.
Raportet paraprake sugjerojnë se vala e të nxehtit mund të ketë shkaktuar rreth 10 mijë vdekje të shtuara, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani dhe Belgjikë.
Por dëmet nuk janë vetëm njerëzore. Temperaturat ekstreme kanë dëmtuar rrugë dhe linja hekurudhore, ndërsa zjarret dhe thatësira kanë prekur furnizimin me ujë, energjinë, transportin dhe bujqësinë.
Përballë këtij realiteti, studiuesit kërkojnë më shumë hapësira të gjelbra, pemë dhe parqe, çati reflektuese, materiale ndërtimi që nuk akumulojnë nxehtësinë, si dhe plane më të avancuara për emergjencat dhe shëndetin publik.
Vera e vitit 2026 është një tjetër sinjal se temperaturat ekstreme po kthehen në një sfidë gjithnjë e më të madhe për Europën

