Vetëm 15 pacientë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive me COVID-19, ku dy prej tyre vazhdojnë të jenë në gjendje kritike. Katër persona janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi, ndërsa nëntë janë në gjendje stabile. Nga kjo Klinikë sot janë liruar 18 pacientë të shëruar nga coronavirusi.
Infektologu Valbon Krasniqi, teksa tregon për gjendjen e pacientëve, thotë se vendi po shkon drejt fundit të kësaj pandemie.
Megjithatë, ai apelon që edhe më tutje qytetarët të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara dhe të evitojnë grumbullimin në masë.
“Sot ne kemi liruar një numër të madh të pacientëve të shëruar, kemi liruar 18 pacientë sot nga Klinika, ndërkohë që në Klinikë kemi 15 pacientë COVID-19 pozitiv ende. Prej tyre gjendja shëndetësore e nëntë nga ta është shumë e mirë, janë stabil, i kemi katër me oksigjeno-terapi. Ndërkohë që dy vazhdojmë t’i kemi ende në gjendje shumë të rëndë në repartin intensiv të Klinikës sonë dhe gjendja e tyre është kritike”, tha ai.
Ditëve të fundit janë shënuar numër i vogël i rasteve të reja me COVID-19, e që sipas Krasniqit trendi është se po shkohet drejt fundit të kësaj pandemie.
“Trendi është i tillë, ne mendojmë se jemi në atë rrugë, megjithatë pandemia ende është prezentë, ne jemi ende në kohën e pandemisë, ende kemi mbi 300 raste aktive në nivel të vendit, pra që janë COVID pozitiv dhe kemi disa mijëra të tjerë të cilët janë persona të kontaktit dhe janë nën monitorim të ekipeve në terren. Sidoqoftë, mendojmë se jemi në rrugë të mirë dhe mendojmë se jemi duke shkuar drejtë fundit të pandemisë. Kjo nuk na lejon të nënvlerësojmë ende situatën, nuk na lejon të relaksohemi në tërësi, duhet të jemi të kujdesshëm në veçanti për sa i përket zbatimit të masave të higjienës personale dhe të distancës fizike”, deklaroi ai për KP.
Megjithëse ka numër të vogël të rasteve të reja me COVID-19, Krasniqi apelon që qytetarët të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara dhe të rrinë në shtëpi.
Ai thotë se është shumë e rëndësishme që edhe më tutje të evitohen grumbullimet në masë dhe kur të dilet nga shtëpia të jenë të pajisur me masa mbrojtëse.
Ne ende jemi në kohën e pandemisë, jo vetëm Kosova, bota është ende në kohën e pandemisë. Është e vërtetë që kemi numër më të vogël të rasteve, është po ashtu e vërtetë që jemi duke shkuar drejtë fundit të pandemisë, por duhet të kemi kujdes edhe pse virusi është në tërheqje armiku edhe gjatë tërheqjes mund të shkaktoj dëme serioze. Prandaj, unë do t’u bëjë apel edhe më tutje qytetarëve që të respektojnë masat për parandalim të përhapjes, në veçanti kur dalin jashtë shtëpive të tyre të mbulojnë gojën dhe hundën me maskë ose faculetë, të kenë kujdes për higjienën e tyre personale dhe të ruajnë distancën fizike”, tha ai.
Infektologu Valbon Krasniqi, deklaron se mund të pritet që gjatë sezonit të ardhshëm të dimrit të ketë një valë të dytë të të infektuarve me COVID-19, por që thotë se mbetet të shihet.
“Për sezonin e ardhshme të dimrit ajo është një gjë e cila mund të pritet, por edhe ajo mbetet për t’u parë. Për shkak se viruset të cilët janë shkaktar të sëmundjeve të rrugëve të mushkërive dhe të organeve të mushkërive dhe që përcillen me rrugë të tilla si është koronavirusi, zakonisht e kanë një cikël biologjik që fillojnë në vjeshtën e vonë ose në dimër dhe pastaj përfundojnë në pranverë ose në verë, për t’u rikthyer përsëri në vjeshtën e ardhshme. Mbetet të shihet se si do të sillet ky virus, prandaj edhe krahas përfundimit nëse mund ta quajmë të kësaj pandemie, mendoj që ne të gjithë ekspertët e fushës, institucionet vendimmarrëse të qeverisë duhet të analizojnë situatën në të cilën kemi kaluar, si kemi vepruar, çka kemi bërë mirë, çka kemi mundur të bëjmë më mirë dhe të fillojmë të përgatitemi për pandemitë të tilla të mundshme”, tha ai.
Deri më tani në Kosovë janë 854 raste të konfirmuara me COVID-19, ndërsa janë shëruar 490 persona dhe 26 persona kanë vdekur.
Coronavirus – Statistikat
Infektuar
3,690,743
Shëruar
1,210,556
Vdekur
258,186
Data credits CSSE at JHU
Trendi i Coronavirus-it në Kosovë
Data credits: corona-ks