Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar rritje të mëtejshme të pagave për të punësuarit në sektorin publik të Kosovës, duke vendosur si objektiv që paga mesatare në këtë sektor të kalojë shumën prej 1 mijë eurosh në muaj.
Premtimi është pjesë e programit të paraqitur nga Kurti për mandatin e ri qeverisës, ku pagat e punëtorëve të sektorit publik janë renditur ndër çështjet që Qeveria synon t’i trajtojë në vazhdimësi.
“Me rritjen ekonomike do të vazhdojë rritja e pagave në sektorin publik, ku paga mesatare sipas pritjes së tanishme do ta kalojë shumën prej 1000 euro në muaj”, ka deklaruar Kurti gjatë prezantimit të programit qeverisës.
Kjo do të nënkuptonte se rritja nuk është paraqitur si një shtesë e njëjtë fikse për secilin punëtor, por si vazhdim i politikës së rritjes së pagave në sektorin publik në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike. Në program nuk është përcaktuar se secili punëtor do të marrë pagë prej 1 mijë eurosh; shifra e përmendur nga Kurti i referohet pagës mesatare të sektorit publik.
Në ekspozenë e tij, Kurti ka deklaruar gjithashtu se gjatë mandatit të kaluar pagat në sektorin publik kanë shënuar, sipas llogaritjeve të Qeverisë, rritje mesatare prej 47 për qind. Ai ka premtuar se ky trend do të vazhdojë edhe gjatë mandatit të ardhshëm.
Përveç rritjes së pagës mesatare mbi 1 mijë euro, programi përfshin edhe pagën e 13-të. Kurti ka deklaruar se kjo masë për sektorin publik ka nisur gjatë vitit 2026 dhe se synimi është që iniciativa të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
Më herët, gjatë prezantimit të programit zgjedhor, Kurti kishte paralajmëruar edhe përcaktimin me ligj të pagës së 13-të, ndërsa si objektiv afatgjatë kishte përmendur mundësinë e planifikimit gradual edhe të pagës së 14-të.
Punëtorët e administratës, arsimit, shëndetësisë, Policisë dhe kategoritë e tjera që paguhen nga buxheti i shtetit do të jenë pjesë e politikës së përgjithshme të pagave në sektorin publik, por niveli konkret i pagës për secilën kategori vazhdon të varet nga sistemi i pagave, pozita dhe koeficientët përkatës.
Kurti nuk ka përcaktuar në këtë premtim një përqindje unike me të cilën do të rritet paga e secilit punëtor. Zotimi konkret i bërë publik është vazhdimi i rritjes së pagave dhe synimi që paga mesatare në sektorin publik të kalojë 1,000 euro në muaj. KOHA.net

