Kryeministri Albin Kurti ka folur për një ushtarak rus të quajtur Yunus Yevkurov, të cilin Vladimir Putin e ka ngritur në gradën e Gjeneral Kolonelit në dhjetor të vitit që shkoi, pak ditë pas takimit me Aleksandar Vuçiq. Yunus Yevkurov ka qenë njëri nga ushtarakët që i ka komanduar forcat ruse për t’i sjellë me shpejtësi nga Bosnja në Aeroportin e Prishtinës para se të hyjnë trupat e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, shkruan Gazeta Express.
Është i njohur inicidenti i famshëm i vitit 1999, kur trupat ruse kishin marshuar drejt Kosovës nga Bosnja për të hyrë të parët në Kosovë, që thuhet se ka qenë hakmarrje ruse ndaj NATO’s që nuk iu kishte dhënë atyre një sektor të ndarë për t’i vendosur trupat, por ishin lënë nën sektorin e amerikanëve dhe në disa pjesa tjera të Kosovës.
Pas vendosjes së rusëve në aeroportin e Prishtinës, aty kishin shkuar britanikët për t’i larguar. Aty ishin shkaktuar tensione, dhe gjeneralët e përfshirë amerikani Wesley Clark dhe britaniku Mike Jackson kishin shkëmbyer fjalë të rënda mes tyre. Ndërkohë Jakson e kishte përmendur edhe mundësinë e Luftës së Tretë Botërore, në rast të përdorimit të forcës ndaj rusëve.
Një pjesëmarrës në këtë incident është ngritur në pozitë të lartë në qeverinë ruse.
Yunus Yekurov pas kthimit nga Kosova kishte udhëhequr Republikën e Ingushetisë,ndërkohë që në biografinë e tij përmendet edhe Kosova dhe mban titullin e Heroit që I është dhënë nga Federata Ruse.
Në vitin 2009 thuhet se Yevkurov është sulmuar me bombë që ishte vendosur në veturën e tij, por I ka mbijetuar sulmit.
Në vitin 2019, ishte emëruar Zëvendësministër i Mbrojtjes nga Putin.
Kryeministri Kurti dje ka komentuar rreth këtij ushtaraku, duke thënë se është i brengosur pasi Putin pas takimit me Vuçiqin në Rusi e promovoi këtë ushtarak.
Ajo që më ka brengosur në veçanti mua është fakti që më datën 8 dhjetor 2021, pra pa u bërë ende dy javë nga takimi me Vuçiqin, Putin e bën një emërim shumë të veçantë në hierarkinë e Kremlinit është Gjereral majori Jevkurev. Ai është nga Republika e Osetisë Veriore, u ka mbijetuar dy tentim vrasjeve, ka defekte trupore për shkak të dëmtimeve që ka marrë në ato atentate, ka qenë në Çeçeni e tash është zëvendës i Sergey Shoygu (ministri rus i mbrojtjes). Por a e dini se ku ka qenë ai në qershor të vitit 1999. Ka qenë në Kosovë. Jevkurev i ka marrë trupat ruse prej Bosnje e Hercegovinës i ka sjell me shpejtësi në Aeroportin e Prishtinës që të mbërrijnë para NATO’s kur po çlirohej Kosova. Jevkurev ka qenë ai oficeri rus i cili në dhjetorin e vitit të kaluar pasi që u takuan Putini me Vuçiqin u bë zëvendës i Shoygu. Pra ne i përcjellim të gjitha këto me vëmendje, nuk frikësohemi”, tha Kurti në RTK.
Shefi i qeverisë tha se me emërimet që bën presidenti rus Putin tregon se sa i preokupuar është me Ballkanin.
“Kjo tregon sa i preukopuar është Putin me Ballkanin dhe shikoni biografitë e atyre që i emëron. Unë kam qenë në burg në si i burgosur, rob lufte në vitin 2001 në qershor kur Putini ka qenë pikërisht në aeroportin e Prishtinës sepse ai ka ardhur në pushtet dy muaj pas çlirimit të Kosovës. Duhet të jemi të vëmendshëm, derisa Putin dëshiron të bëjë paralele të paqena, false, absurde, midis Kosovës dhe Krimesë, Vuçiq dëshiron të bëjë midis Krimesë dhe veriut të Kosovës”, tha Kurti.