Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë se shërimi nga koronavirusi i 6 personave mbi moshën 60-vjeçare në Kosovë, është fillim i mirë dhe inspirues.
Ai përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje që të zbatohen masat e parapara për parandalimin e koronavirusit.
Ai tutje ka shtuar se qytetarët kanë nevojë për lajme të mira.
“Duke parë e lexuar lajme e informata të vazhdueshme për statistikat jo të mira në nivel botëror, evropian e regjional në lidhje me ecurinë e pandemisë COVID-19, mendova se qytetarët tanë kanë nevojë edhe për lajme të mira. Të mos bëhemi shembull si shtetet tjera, pa apostrofuar asnjë, por të bëhemi shembull i vetvetes, të bëhemi shembull i mirë edhe për të tjerët. Këtë mundësi e kemi, andaj ta shfrytëzojmë”.
Ai thotë se në mesin e 23 pacientëve të parë të shëruar nga COVID-19 në Kliniken Infektive, 6 nga ta janë të moshës mbi 60 vjeç, e njëri nga ta i moshës 80 vjeçare.
“Një fillim i mirë ky, që na frymëzon neve profesionistëve e na bën të besojmë se jemi në rrugë të mirë.
Sidoqoftë, tani më kemi hyrë në javën e katërt që prej se kemi konfirmuar rastet e para në Kosovë, dhe fundi i javës së ardhshme- gjysma e muajit Prill mund të jetë vendimtare për fatin e epidemisë në vendin tonë.
Prandaj të kemi durim edhe pak, të zbatojmë në nivel maksimal kujdesin për higjienën personale e të qëndrojmë në shtëpi”, ka thënë ai.