LDK pësoi debakël në zgjedhjet e 28 dhjetorit – Rama për Abdixhikun: Ky është modeli i lidershipit që i duhet vendit edhe në të ardhmen.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilat Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi një humbje të thellë.
Në një reagim publik, Rama ka vlerësuar figurën dhe lidershipin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si shembull të politikës së përgjegjshme dhe etike.
“Në një moment sfidues për demokracinë dhe etikën publike, Lumir Abdixhiku përfaqëson një model të lidershipit të përgjegjshëm. Ai udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e orientuar partinë drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, investimi i Abdixhikut në një program substancial dhe në një ekip përfaqësues e kompetent dëshmon një qasje politike të ndërtuar mbi ide, vlera dhe kapacitete reale. Rama thekson se Abdixhiku, me vetëdije të plotë politike, ka refuzuar diskursin fyes dhe përçarës, duke zgjedhur maturinë, respektin institucional dhe gjuhën e përgjegjshme si bazë të konkurrencës demokratike.
“Kjo qasje nuk është shenjë dobësie, por shprehje e një lidershipi të sigurt në vlera dhe të përkushtuar ndaj standardeve demokratike”, ka shtuar ai.
Rama ka theksuar gjithashtu se Abdixhiku ka marrë përgjegjësi për proceset e rëndësishme me interes kombëtar, pa shmangie dhe pa populizëm, duke dëshmuar, sipas tij, se politika e përgjegjshme kërkon llogaridhënie dhe guxim për vendime të mëdha.
Ai ka përmendur edhe kandidimin e tij për kryetar të Kryeqytetit si shembull të vizionit të Abdixhikut për përfshirjen e profesionistëve edhe jashtë partisë, duke vënë në plan të parë përgatitjen profesionale, integritetin dhe kompetencën mbi ngjyrat politike.
“Me dinjitet institucional e udhëhoqi procesin dhe me po aq dinjitet e pranoi rezultatin, duke treguar respekt për rregullat demokratike dhe për vullnetin e qytetarëve. Kjo qasje dëshmon vizionin, pjekurinë dhe progresin e tij si politikan”, ka përfunduar Rama, duke e cilësuar këtë si model lidershipi që ndërton dhe bashkon shoqërinë.
LDKLumir abdixhikuperparim rama
Thirrje për kursim dhe bashkëpunim – për stabilitetin e furnizimit dhe funksionimin e proceseve të rëndësishme në vend.

