3.5 C
New York
November 22, 2024
DardaniaNews
FeaturedShëndetësi

Nga sot, testin për koronavirus mund ta bëni në laboratore private: Këto janë çmimet

Duke nisur nga kjo javë, në Kosovë disa institucione shëndetësore private, të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë, do të fillojnë të kryejnë teste serologjike dhe teste me metodën PCR për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Testet serologjike janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin dhe bëhet përmes mostrave të gjakut. Ndërkaq, testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, ka bërë të ditur më 7 gusht se nga 123 aplikacione të institucioneve shëndetësore, kanë shqyrtuar 37 prej tyre dhe kanë licencuar 33 laboratorë të testime për COVID-19 – 31 institucione ofrojnë shërbime për teste serologjike dhe vetëm 2 laboratorë, do të ofrojnë testime PCR.

Zemaj tha se nga kjo javë laboratorët privatë të licencuar, mund të fillojnë me testime për COVID-19.

Për testime serologjike për COVID-19, ka aplikuar edhe laboratori privat në Prishtinë ‘Analiza’.

Valon Sopa, udhëheqës i këtij laboratorit, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë se a janë licencuar. Megjithatë, ai pret që të hënën, më 10 gusht, të marrin licencën nga Ministria e Shëndetësisë dhe të fillojnë me testime serologjike.

Çmimi i një testi serologjik, jo më shumë se 20 euro

Sa i përket çmimeve për teste serologjike që do të mund të kryhen në këtë laborator, Sopa thotë se nuk do të jetë më i lartë se 20 euro.

“Çmimet i përcaktojmë vet. Ende nuk e dimë saktë pasi që nuk i kemi marrë ende testet nga doganat për të cilat na diktojnë çmimet, por kështu do të jenë (20 euro). Këto çmime nuk na janë diktuar nga askush. Por, janë çmime të arsyeshme duke pasur parasysh edhe situatën”, thotë Sopa.

Disa spitale në Prishtinë kanë paralajmëruar se mund të bëjnë teste me metodën PCR për COVID-19, dhe çmimi mundet të jetë deri në 50 euro.

Ofertat dhe kërkesat diktojnë çmimet

Sa i përket çmimeve, autoritetet në Kosovë nuk mund ta përcaktojnë çmimin, pasi që sektori privat i nënshtrohet konkurrencës së tregut të lirë. Oferta, kërkesa dhe tregjet e jashtme përcaktojnë çmimet e produkteve të caktuara.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë patën deklaruar se me lejimin e testimeve në sektorin privat do të mbikëqyren nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), si institucioni i vetëm që kryen teste valide për COVID-19.

“Raportimi në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik duhet të jetë në baza ditore”, pati thënë për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti zëdhënës në Ministri të Shëndetësisë.

Kosova me pak testime për COVID-19

Deri tani në Kosovë teste për COVID-19 ka kryer vetëm IKSHPK-ja, derisa më 17 korrik kanë filluar të bëhen teste serologjike edhe në sektorin primar shëndetësor, në Qendrat e Mjekësisë Familjare, që janë kompetencë e Komunës së Prishtinës.

Që nga paraqitja e rasteve të para më koronavirus në Kosovë më 13 mars, Kosova është vlerësuar se ka bërë pak teste për COVID-19.

Momentalisht në IKSHPK bëhen prej 400 deri në 500 testime në ditë.

Deri më datën 9 gusht, IKSHPK-ja ka testuar 40,646 persona të dyshimtë për koronavirusin e ri.

Ministria e Shëndetësisë, deri në fund të këtij viti ka thënë se është menduar t’i ketë 100 mijë teste virologjike dhe dyfishin e testeve serologjike, me të cilat do të testohet popullata në mënyrë që të diagnostikohet COVID-19, por edhe të shihet shkalla e imunitetit të fituar të popullatës, të cilët nuk janë diagnostikuar asnjëherë me koronavirus.

Related posts

Kurti: Në Banjskë janë 30 persona të armatosur rëndë që ndodhen nën rrethim të forcave tona, u bëj thirrje që të dorëzohen

dardanianews

Këta janë pesë kandidatët kryesorë për ta fituar çmimin “Topi i Artë”

dardanianews

Ish-këshilltari i Putinit: Kjo gjë mund ta ndalojë luftën në Ukrainë

dardanianews