22 C
New York
March 9, 2026
DardaniaNews
HistoriLajme

Nuk është i vetmi Zekeria Cana që harrohet!

Janar i këtij motmoti. Çuditërisht, janari është muaji në të cilin kanë vdekur njerëzit, personalitete të mëdha të kombit tonë, të historisë sonë.

Por, në këto raste, të shkon në mendje pyetja: Pse disa emra të njohur nuk përkujtohen fare? Madje, as në përvjetorët e tyre të vdekjes!

10 janar i këtij motmoti.
Përcjell portalet tona të kësaj dite. Asnjë fjalë për prof. Zekeria Canën në shenjë përkujtimi.

Në mbrëmje përcjell edhe ekranet televizive, lajmet… As ato – asnjë fjalë për profesorin e nderuar, burrin e madh të Kosovës.

Virtytet e profesor Canës do të kujtohen dhe do të nderohen përherë nga qytetarët e Kosovës – thoshin pushtetarët në telegrame ngushëllimi ato ditë kur ai vdiq.

Por, nga ato ditë e sot, profesor Cana sikur u harrua… U harrua njeriu i cili në dy dekadat e fundit të shekullit XX qe bërë simbol i rezistencës ndaj dhunës, përndjekjeve, tmerreve dhe vrasjeve të shqiptarëve.

Me këtë çast, se ç’më kujtohet marsi i përvjetorit të parë të pasluftës i rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, që mbahej në Prekaz.

Dhe, derisa atje mbahej organizimi, takohem me profën në kafenenë “Bagrem”. Në sytë dhe fytyrën e tij lexohej qartë se ishte i pa disponuar, i zhgënjyer, i rraskapitur…

“I thyer jam sot, Gani Dili”, më drejtohet me fjalët e para, thuajse e kuptoi shqetësimin tim. “Sot, në përvjetorin e parë paslufte, e që me duart e mia e lëshova në dhe Ademin, unë atje mungoj”.

“Pse?”, e pyes.

“Nuk më kanë ftuar!”

Po këto fjalë m’i thotë edhe në natën e kremtimit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, teksa liderët dhe shumëkush cakërronte gotat në emër të Pavarësisë. U habita kur dëgjova fjalët e profesorit nëpërmjet telefonit se as në këtë solemnitet nuk e kishin ftuar…

Por, pavarësisht nga këto, emri i profesor Canës mbetët i përjetshëm në historinë e Kosovës, sepse edhe Ai e ka hisen e vet. Ai edhe në kushtet e regjimit serb krijoi e lartësoi dinjitetin e shqiptarit…

Andaj, a nuk është turp të mos kujtohet ky vigan i historisë shqiptare, ky patriot i madh që shkriu gjithçka për popullin e Kosovës?!

Ai, kush tjetër e meriton të përkujtohet?

S’ka nevojë të përmenden daljet e tij në ballë të demonstratave kundër regjimit serb, as në ballë të tubimeve për Pajtimin e Gjaqeve krah Anton Çettës, as në konferencat e shtypit krah Ibrahim Rugovës, e as për 39 burgosjet e tij…

Por, nuk është i vetmi Zekeria Cana që nuk përkujtohet! Edhe shumë të tjerë nuk i përkujtojmë, i lëmë në harresë…

Rrallë përmendet, për të mos thënë fare, akademik Fehmi Agani, shtylla qendrore e LDK-së një dekadë të tërë!

Pastaj, aktorët e mëdhenj: Abdurrahman Shala, Bekim Fehmiu, Shani Pallaska, Malo Gami, Ragip Loxha, Melihate Ajeti, Avdush Hasani, e shumë të tjerë…

Shkencëtarët: Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Idriz Ajeti…

Poetët: Esad Mekuli, Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Mirko Gashi…

“Babai i Revistave” – gazetari Ali Sutaj, Maksut Shehu…

Emra këta që kanë bërë histori, kanë lënë gjurmë në çdo segment të Kosovës e për Kosovën…

Harresa e këtyre emrave është vrasje e historisë, turp i kohës që s’falet nesër…  Gani Dili /Kosovarja/

Related posts

I dashur Albin, pranoji kushtet e Isa Mustafës, ‘zbutu’ menjëherë, sepse veç njerëzit e jashtëzakonshëm lëshojnë pe

dardanianews

“Takohemi para se të futemi në klasë?”/ Mësuesja arrestohet pas marrëdhënieve seksuale me nxënësin, i mituri mund të jetë babai i foshnjës së saj

dardanianews

“Gjithçka u errësua”, rrëfimi i amerikanit që përfundoi në gojën e balenës dhe që mendoi se kafsha do ta gëlltiste

dardanianews