Gjatë kësaj jave, vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike. Si rrjedhojë, ciklonet që kanë përfshirë Evropën dhe Ballkanin, në kombinim me masat e ftohta polare, kanë sjellë reshje të dendura bore në rajon, ndërsa tek ne, për shkak të masave më të ngrohta ajrore, po vazhdojnë reshjet e shiut, ndërsa në zonat malore reshje bore.
E hëna u karakterizua me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, ndërsa reshjet ishin lokale, më të theksuara në perëndim të vendit.
Të martën, pritet intensifikim i reshjeve në shkallë vendi, ku lokalisht ato mund të jenë intensive apo në formë rrebeshi. Ekziston mundësia e vetëtimave dhe bubullimave, veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit.
Të mërkurën, priten reshje lokalisht intensive, ndërsa gjatë ditës do të nisë depërtimi gradual i masave të ftohta ajrore, fillimisht në verilindje të vendit, ku priten reshje bore.
Deri në mbrëmje, përkatësisht rreth mesnatës, masat e ftohta polare do të shtrihen në të gjithë territorin, duke bërë që reshjet e shiut të shndërrohen në borë në të gjithë vendin. Para depërtimit të plotë të këtyre masave, lokalisht mund të ketë edhe shi të ngrirë, veçanërisht në Rrafshin e Kosovës. Pritet të ketë vetëtimë dhe bubullimë.
Të enjten, masat e ftohta polare do të shtrihen plotësisht. Temperaturat do të zbresin nën 0°C, për disa gradë. Moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të pakta lokale bore, ndërsa në mbrëmje pritet kthjellim i motit.
Të premten, pas mëngjesit me acar, do të depërtojnë masa më të ngrohta ajrore, të cilat do të sjellin mot kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës, ndërsa gjatë ditës pritet shtim i vranësirave dhe rritje e temperaturave në vlera pozitive. Në orët e vona të mbrëmjes, pritet ardhja e një sistemi të ri frontal nga perëndimi, me reshje shiu apo shiu të ngrirë.
Të shtunën, parashihet mot kryesisht i vranët dhe me reshje, fillimisht në formë shiu dhe shqote, ndërsa gjatë ditës dhe mbrëmjes, me depërtimin e masave më të ftohta polare, reshjet pritet të shndërrohen në borë.
Dita e diel do të vijojë me mot kryesisht të vranët dhe reshje të pakta bore, kryesisht në pjesën e parë të ditës.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, herë pas here mjaft e fuqishme, veçanërisht në pjesën e dytë të javës, me shpejtësi prej 15–60 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga -11 deri në 7°C, ndërsa temperaturat maksimale nga -3 deri në 15°C. /MeteoKosova/

