14.4 C
New York
May 6, 2021
DardaniaNews
Featured Lajme

Pse Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç janë nervoz!

Rama dhe Vuçiç janë shumë nervoz. Njëri kundër opozitës dhe tjetri kundër Kosovës. Ndërkaq opozita e Shqipërisë njësohet me fituesit e zgjedhjeve në Kosovë, kur është fjala për interesin kombëtar, ndërsa kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë ruajnë ende lidhjet e marrëdhëniet e tyre me politikën e dështuar të Kosovës!

Ata janë një. Nuk ndahen as në fatkeqësi, as në ditë me diell! Janë një, sepse kanë të njëjtat simptoma, të njëjtën sëmundje – pushtetin! Ata janë dashnorët e vetvetes dhe rrënuesit e kombeve të tyre. Edi Rama, ndonëse vegjeton në Tiranë, nuk e zë gjumi pa menduar për fatin e kolegut të tij në Beograd. Aleksandër Vuçiç, edhe pse jeton në Beograd, ka brengë të tij mandatin e tretë të kryeministrit të Shqipërisë. Ndërsa Vuçiç luan për veten e kombin e tij, Edi Rama luan thjesht për të garantuar e gëzuar pasuritë që ka vënë përmes korrupsionit dhe bashkëpunimit me krimin e organizuar.

Të dy këta kanë një kundërshtar të vetëm, Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Albini po markon Aleksandrin, ndërsa Vjosa po e mbron Kosovën prej Edit. Shefi i ekzekutivit të Shqipërisë dhe shefi i shtetit të Serbisë janë bërë bashkë prej kohësh, prej vitesh. Deshën ta çojnë Kosovën në thertore! Për interesat e tyre u përpoqën ta bëjnë atë kurban të interesave serbe dhe ruse. Por dështuan edhe pse e futën në thes presidentin Hashim Thaçi, edhe pse e bindën Mogherinin, Bolton-in e ndoshta edhe Macron-in.

Këto kohë të dy këta janë në hall të madh! Sandrit i janë zbuluar shumë afera. Ish- ministri i tij i Mbrojtjes i ka servuar ato në video të veçantë. Njëkohësisht ka futur në valle vëllain dhe djalin e presidentit. Po ashtu drejtuesit e Federatës së Futbollit. Ndërkaq Edit i njihen të gjitha aktet e korrupsionit, por me lënien e pushtetit ai ka frikë se dalin në shesh investimet e tij në Amerikë e Evropë dhe llogaritë rrjedhëse në Turqi, Serbi dhe bankat ofshore. Edhe ky i joni emëroi vëllain e tij që të luajë rolin e vëllait të Vuçiç. Por nuk dihet nëse Olsi pati hapësirën e duhur për të përfituar nga Federata Shqiptare e Futbollit, aq sa vëllai i presidentit serb. Megjithatë, gojët e liga thonë se kulla e stadiumit ka gdhendur emrin e tij.

Aleksi në Beograd vijon fushatën kundër Kosovës dhe ka deklaruar se “nuk e njeh marrëveshjen e Uashingtonit”! Thotë se do ta deliegjitimojë pavarësinë e Kosovës! Përralla! Por Albini ia dha përgjigjen me veprën e parë të tij në mbrojtje të Kosovës: – Vendosi që në majën më të lartë të Veriut të vendit të ndërtojë bazën më të madhe të ushtrisë së këtij vendi. Sa kohë që Vuçiç do të sillet me arrogancë ndaj shtetësisë dhe lirisë së Kosovës, aty do të jenë edhe forcat amerikane, gjermane, britanike e të NATO-s. Madje për pak javë do të ketë edhe një stërvitje të madhe të trupave të NATO-s e të Kosovës në territorin e saj. Kjo do të thotë se shtetësia e Kosovës është e garantuar më mirë, nëse Beogradi nervozohet kundër saj. Kur Serbia të heqë dorë nga Kosova, atëherë kjo e fundit do bëhet pjesë e NATO-s dhe përsëri baza ushtarake në Veriun e projektuar për aneksim do të jenë Ushtria e Kosovës dhe forcat e NATO-s.

Që Vuçiç të mos përballet me këtë, do të duhej e do të duhet ta njohë Kosovën dhe të vendosë paqen në rajon. Ndryshe, si kurrë ndonjëherë në historinë e Ballkanit, Kosova do të jetë e vetëmbrojtur dhe e mbrojtur fort prej aleatëve të saj. Arsyeja është e thjeshtë: – Amerikanët dhe evropianët nuk duan më që Ballkani të destabilizohet. Ikën kohët e luftërave dhe konflikteve. Paqja vendoset ose me mirëkuptim, ose me ekulibrin e forcës! Nuk ka rrugë të mesme. Sa kohë që Vuçiç nuk e kupton gjuhën e arsyes, do të përballet me përgatitjen e Kosovës për t’u mbrojtur prej Serbisë! Dhe ku? Në atë pjesë të territorit, të cilin e lakmon Beogradi! Ndaj presidenti i Serbisë është bërë nervoz. I rren mendja se do ta zhbëjë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës! Kurrë jo!

Edhe Edi Rama në Tiranë ka të njëjtin hall – pushtetin dhe pasurinë. Njësoj si miku i tij në kryqëzimin e Danubit e Savës, Rama lufton që të ndalojë hemorragjinë e votave të shqiptarëve në favor të tij. Vuçiç është nervoz se e di se nuk e zhbën më pavarësinë e Kosovës, Rama është nervoz se nuk i bën më shqiptarët ta votojnë pushtetin e tij. Të dy gënjejnë veten, sepse nuk kanë shans të gënjejnë më ndonjë tjetër. Vuçiç u përpoq ta ndihmojë Ramën, kur ia nisi vaksinat ruse anti-Covid dhe kur ia aranzhoi një takim të dështuar me presidentin francez, Emmanuel Macron. Ndërsa Rama u përpoq ta ndihmojë vëllain e tij në Beograd, duke e përçarë klasën politike në Kosovë e në Shqipëri.

Të dy bashkëpunojnë ngushtë për interesat personale. Vuçiç edhe për interesat e Serbisë. Ndërsa ky yni vetëm për veten e tij! Por asnjëri nuk do ia dalë tashmë. Atij në Beograd i duhet të lëshojë Kosovën me të mirë dhe këtij në Tiranë i duhet të lejë pushtetin po ashtu me të mirë. Ndryshe destabilizohet rajoni në rastin e parë dhe Shqipëria në rastin e dytë. Tashme as njërit e as tjetrit, nuk i shkon intriga, hileja, as mashtrimi. Në kohën e maskave të dyve u ka rënë maska!

Ndryshimi i madh e rrënjësor në Kosovë është paralajmërim për pranverën shqiptare dhe dështimin e politikave nacionaliste të Serbisë. Është preludi i ndryshimit që duhet e do të ndodhë më 25 prill në vendin tonë dhe i kthesës që duhet e do të marrë Serbia në pranverën e vitit 2022!

Related posts

Pulat e Brazilit dalin pozitiv me COVID-19

dardanianews

BISHZ (BASHKIMI I INTELEKTUALEVE SHQIPTAR NE ZVICËR) KA THEMELUAR FONDIN PËR TË NDIHMUAR BOTIMIN DHE PËRKTHIMIN E LIBRAVE TË VEÇANTA ME TË DHËNA E DËSHMI PËR KULTURË DHE HISTORI

dardanianews

Sulmohet fizikisht gazetari Valon Syla

dardanianews