Kryetari i këshillit të fshatit Krushë e Madhe, iu ka bërë thirrje banorëve që mund të kenë pasur kontakte me dy persona nga Malisheva të prekur me koronavirus, që të lajmërohen në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Kjo për shkak se po dyshohet që dy banorë të komunës së Malishevës, të cilët janë konfirmuar me koronavirus, kane qenë në Krushë të Madhe për të shitur fidanë. E nga kabineti i kryetarit të Rahovecit, Smajl Latifit, kanë thënë për Express se ende nuk ka asnjë rast të dyshuar me koronavirus nga kjo komunë
Veli Gashi nga kabineti i kryetarit Latifi i ka thënë Expressit se kryetari i fshatit Krushë e Madhe iu ka bërë thirrje qytetarëve të cilët mund të kenë pasur kontakte me personat e infektuar nga Malisheva.
“Ai ka bë apel që ata që kanë pasur kontakte me personat e prekur nga Malisheva që të lajmërohen, pasi sipas tij dy persona që kanë ardhë në Krushë dhe kanë ble fidanë. Por, deri më tani ne nuk e kemi asnjë të infektuar, nuk ka raste tek ne ende”, ka thënë Gashi.
Gashi ka theksuar se mund të ketë pasur të dyshuar apo persona që kanë pasur simptoma, por deri më tani nuk është konfirmuar asnjë rast në komunën e Rahovecit.
“Përndryshe deri më tani nuk ka ndonjë raport prej qendrave të mjekësisë familjare, për raste të lajmëruara. Ndoshta mund të ketë të dyshuar apo me simptoma, por ne deri më tani nuk kemi asnjë raport e asnjë informatë për persona të infektuar në komunën tonë”, ka thënë Gashi.
Ndërkohë, kryetari i këshillit të fshatit Krushë e Madhe përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje që të gjithë personat që kanë blerë fidanë dhe kanë pasur kontakt me ta, të paraqiten në QKMF.
“Të dashur qytetarë krushjanë, ju njoftoj se të premten në Krushë, dy qytetarë nga Komuna e Malishevës kanë shitur fidane të pemëve, pas konfirmimit të Institutit të Shëndetësisë që të dy kanë dalë pozitiv në COVID -19. Andaj i lus të gjithë qytetarët që kanë blerë fidane dhe kanë pasur kontakt me ta të lajmërohen në QKM Fahredin Hoti në Krushë për këshilla se si të veprojnë tutje apo të futen në vetizolim”, ka shkruar ai.
E në komunën e Malishevës deri më tani 44 persona janë të prekur me koronavirus, derisa7 prej tyre janë shëruar.
Ndërkaq numri total i të prekurëve me koronavirus në Kosovë ka shkuar në 145, derisa mëngjesin e sotëm janë shënuar edhe dy viktima nga koronaviruasi, duke çuar në 3 numrin e të vdekurve.
Deri me tani, janë shëruar 23 persona./GazetaExpress/