17.1 C
New York
March 31, 2026
DardaniaNews
LajmeLajme nga Bota

SHBA ‘rrethon’ Iranin; Mijëra patashitistë elitë dhe marinsa zbarkojnë në rajon

Mijëra ushtarë amerikanë nga divizioni elitë ajror kanë nisur të mbërrijnë në Lindjen e Mesme, në një moment kur administrata e Presidentit Donald Trump po shqyrton hapat e radhës në përballjen me Iranin.

Sipas Reuters, bëhet fjalë për trupa nga Divizioni i 82-të Ajror i ushtrisë amerikane, një njësi e specializuar për ndërhyrje të shpejta dhe operacione në terrene të rrezikshme. Ata i shtohen mijëra forcave të tjera, përfshirë marinsat, forcat speciale dhe elementë detarë, që janë dërguar së fundmi në rajon.

Vetëm gjatë fundjavës, rreth 2500 marinsa amerikanë kanë mbërritur në Lindjen e Mesme, ndërsa dislokimet e reja përfshijnë edhe një brigadë luftarake, staf komandues dhe mbështetje logjistike.

Zyrtarë amerikanë, që folën në kushte anonimiteti, nuk kanë bërë të ditur vendndodhjen e saktë të trupave, por theksojnë se kjo lëvizje synon rritjen e kapaciteteve për operacione të mundshme në të ardhmen.

Aktualisht nuk ka një vendim për dërgimin e trupave tokësore brenda territorit iranian, megjithatë skenarët që po diskutohen brenda administratës përfshijnë opsione shumë më të gjera.

Një prej tyre lidhet me mundësinë e marrjes nën kontroll të ishullit strategjik Kharg, përmes të cilit kalon rreth 90% e eksporteve të naftës së Iranit. Një operacion i tillë konsiderohet me rrezik të lartë, pasi zona është e ekspozuar ndaj sulmeve me raketa dhe dronë nga ana e Teheranit.

Në diskutim janë edhe skenarë të tjerë, si përdorimi i forcave tokësore për të siguruar materiale bërthamore ose për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve cisternë në Ngushticën e Hormuzit.

Nga ana tjetër, presidenti Trump ka deklaruar se SHBA është në kontakte për të arritur një zgjidhje me atë që ai e quajti një “regjim më të arsyeshëm” në Iran, por ka paralajmëruar sërish Teheranin që të mos bllokojë Ngushticën e Hormuzit, duke lënë të hapur mundësinë e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.

Ndërkohë, përfshirja e mundshme e trupave tokësore mbetet një çështje e ndjeshme politikisht në SHBA, duke pasur parasysh mbështetjen e ulët publike për një konflikt të zgjeruar me Iranin dhe premtimet e mëparshme për shmangien e luftërave të reja në Lindjen e Mesme.

Related posts

E rëndë në kopshtin zoologjik! Gruaja hedh vajzën në kafazin e ariut

dardanianews

Dhëndri, i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë

dardanianews

Përplasje e ashpër në “Pressing”: Nezir Kraki dhe Parim Olluri kacafytën gjatë transmetimit live në T7! /VIDEO

dardanianews