Po sikur të ishte Xhemi Shehu këtu…?” ishte pyetja që nisi Ronaldo Sharka sapo pa Valbona Selimllarin në premierën e filmit “5 Herë Jo”, si për t’i lënë asaj të kuptonte se çfarë kishte ndodhur gjatë kësaj jave pas deklaratës që Selimllari dha në “Fun Club” për imitimin në “Portokalli”.
“S’kam asgjë me Xhemin, uaaa, e tmerrshme. Pse duhet të kem një gjë me Xhemin?” – ishte pyetja e menjëhershme e Valbonës dhe Ronaldo ndërhyri përsëri për t’i shpjeguar atë që kishte ndodhur: “Bona, është bërë nami në rrjet, pas deklaratës sate, nuk e di ti?”
“Ore, mua nuk më pëlqen të më imitojnë, por nuk e kam në marrëdhënie me Xhemin. Nuk kam asgjë, por edhe ajo e di që s’kam asgjë me të”, – tha Bona duke sqaruar edhe një herë atë që kishte thënë në “Fun Club”: “E para, Xhemi e ka shumë të qartë që unë e kam shumë xhan. E dyta, për të gjithë ata që janë keqkuptuar, nuk kam asnjë problem me Xhemin. Mua nuk më pëlqen të imitohem, sepse është natyra ime. Unë jam natyrë që shakatë i absorboj me vështirësi. Por e thashë edhe aty, që jam e bindur që nuk ka asnjë qëllim”.
Pa e lënë me kaq, Ronaldo e ngacmoi Bonën edhe një herë tjetër: “Mendova që sonte do shiheshit me inat…”. “Unë me inat? Unë e kam zemër, ajo është e bukura e dheut. Madje, jam e kënaqur që më imiton ajo, se është aq e bukur dhe më rri…” – vijoi Valbona me humor.
“E thashë edhe atje. Unë jam e sinqertë në përgjithësi. Nëse ti më pyet “të pëlqen një gjë?”, unë nuk dua të them “më pëlqen” për një gjë që s’më pëlqen. Por kjo nuk ka asnjë konotacion tjetër dhe nuk ka të bëjë me askënd, me Xhemin jo e jo njëherë…”.
360grade.al