Mëngjesin e sotëm është sulmuar sërish Policia Kufitare në veri, por ndryshe nga sulmet e kaluara, kësaj radhe ka ndodhur nga ana e Leposaviçit.
Dyshohet që sulmi ka ardhur nga vendi i quajtur Mure, që është në territorin e Serbisë. Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
Deri më tani, nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale ndërsa shpërthimi dyshohet se u bë nga mjete piroteknike.
Gjatë një konference për media ditën e premte, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti njoftuan për 4 sulme të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë në vetëm tri ditë.
Gjatë ditës së djeshme, Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër sulmet ndaj policëve të Kosovës, njëjtë sikurse KFOR-i, të gjithë liderët institucionalë e politikë.
Njoftimi i policisë
Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike). Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave.
Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale. Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë.