8.6 C
New York
November 21, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme nga Bota

“U mundova ta drejtoi Rusinë në një rrugë tjetër”| Bill Clinton përmend marrëveshjen e arritur për Kosovën

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton në një opinion të shkruar së fundi me titull “Jam munduar ta drejtoi Rusinë në një rrugë tjetër” flet për shumë çështje, derisa përmend edhe luftën në Kosovë dhe marrëveshjen e arritur atë kohë me ministrin rus të Mbrojtjes.

Clinton në këtë shkrim, tregon se sapo kishte marrë postin e presidentin, kishte konfirmuar se do ta mbështes ish presidentin e Rusisë, Boris Yeltsin për ndërtimin e ekonomisë dhe demokracisë, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, përcjell Demokracia.com.

“Por, unë gjithashtu do të përkrahja zgjerimin e NATO-s, duke përfshirë edhe ish-shtetet e Paktit të Varshavës dhe ato post-sovjetike. Politika ime ka qenë që të punoj për më të mirën, derisa përgatiteshim për më të keqën”, ka thënë Clinton.

Në këtë opinion, ish-presidenti amerikan që dha urdhrin për bombardimin e Serbisë pas krimeve në Kosovë, tregon se sa herët ka tentuar ta ndihmojë Rusinë për një rrugë më të mirë.

“Duke filluar në vitin 1995, pas përfundimit të luftës së Bosnjës, ne kishim arritur një marrëveshje që t’i vendosnim trupat ruse në forcat paqeruajtëse që NATO-ja kishte në Bosnjë. Në vitin 1997, ne e përkrahëm Aktin Themelues NATO-Rusi, i cili i dha Rusisë një zë, por jo veto, në çështjet e NATO-s dhe përkrahëm anëtarësimin e Rusisë në G7, duke e bërë atë G8”, ka thënë Clinton.

Këtu, ai përmend edhe luftën në Kosovë dhe marrëveshjen që sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes, Bill Cohen kishte arritur me Rusinë.

Në vitin 1999, pasi përfundoi lufta në Kosovë, sekretari Bill Cohen arriti një marrëveshje me ministrin e Mbrojtjes të Rusisë, përmes së cilës trupat ruse mund t’i bashkoheshin forcave paqeruajtëse të NATO-s. Gjatë gjithë kësaj, ne lamë një derë të hapur për anëtarësimin e Rusisë në NATO, diçka që ia kisha bërë të qartë presidentit Yeltsin, dhe më pas pasardhësit të tij, Vladimir Putin”, ka thënë ai.

Clinton thotë se dështimi i demokracisë ruse dhe kthesa e saj drejt revanshizmit nuk u përgatit në Bruksel në selinë e NATO-s, por në Moskë nga Putini, shkruan Demokracia.com.

“Putin vendosi të monopolizojë dhe armatizojë aftësitë për të promovuar autoritarizmin në vend dhe për të bërë kërdi jashtë vendit, duke përfshirë ndërhyrjen në politikën e Evropës dhe të SHBA-së. Vetëm një NATO e fortë qëndron mes Putinit dhe agresionit të mëtejshëm. Prandaj, ne duhet të mbështesim Presidentin Joe Biden dhe aleatët tanë të NATO-s për t’i dhënë sa më shumë ndihmë Ukrainës, si ushtarake dhe humanitare, sa më shumë që të jetë e mundur”, ka thënë ai.

Në fund, Clinton tregon se çfarë i tha ish-sekretarja amerikane, Madeleine Albright në bisedën e fundit që patën, dy javë para se ajo të ndërronte jetë, përcjell Demokracia.com.

“Biseda ime e fundit me Madeleine Albright ishte vetëm dy javë para vdekjes së saj. Ishte Madeleine e vjetër, e prerë dhe shumë direkte. Ishte e qartë se ajo dëshironte të ndihmonte Ukrainën në luftën për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Duke mos dashur të flasë për shëndetin e saj, ajo më tha, “Janë duke u kujdesur mirë për mua, po bëj çfarë po mundem. Mos të humbasim kohë në këtë. E rëndësishme është bota të cilën do t’ua lëmë nipave e mbesave tona”, ka thënë Clinton.

Clinton dhe Albright ishin vendimtarë në ndërhyrjen e NATO-s në luftën në Kosovë, kur Serbia po bënte spastrim etnik ndaj popullatës shqiptare.

Më 24 mars të vitit 1999, aeroplanët e NATO-s lëshuan raketat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.

Presidenti Clinton një natë para se të fillonte bombardimi, mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë. Lufta mori fund pas një operacioni 78-ditor të NATO-s.

Related posts

Rrëmbehet nën kërcënimin e armës një burrë në Prishtinë

dardanianews

A ishte Jusuf Gërvalla “enverist”?

dardanianews

Ishte në prag të “zbulimit të madh”, studiuesi i koronavirusit vritet brutalisht

dardanianews