Sot (e hënë 24 prill) u bënë 22 vjet nga vrasja e Ismet Rracit, ish kryetar i Komunës së Klinë, themelues LDK-së si dhe kryetar i degës së LDK-së në këtë komunë.
Ismet Rraci u vra më 24 prill të vitit 2001 pranë banesës së tij nga persona që akoma mbesin të panjohur.
Mënyra e vrasjes së Ismet Rracit ishte e njëjtë me atë të vrasjeve të veprimtarëve të tjerë të LDK-së, si Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Smail Hajdaraj etj.
Të gjithë këta u vranë me armë zjarri pranë banesave të tyre dhe kjo natyrisht se lë hapësirë të madhe për dyshime se të gjithë këta dhe të tjerët janë vrarë nga një dorë e njëjtë, një grup i koordinuar.
Më tej ai hedh kritika ndaj LDK-së, e cila ndonëse ishte goditur nga vrasjet e aktivistëve të saj, nuk bëri asgjë në zbardhjen e tyre.
“Por, duhet ta cekim se për gjithë këto vite, të dështimit të drejtësisë për zbardhjen e vrasjeve politike, LDK-ja si parti e cila u goditë nga këto vrasje të aktivistëve dhe zyrtarëve të saj, nuk bëri diçka serioze, për të mos thënë fare, në drejtim të zbardhjes së vrasjeve politike, pa çka që partitë politike nuk mund të shndërrohen në prokurori dhe gjykata, por të qenurit e saj disa herë në pushtet, do të mund të krijonte kushte për pavarësim të gjykatave dhe krijimin e kushteve për hetim profesional e të paanshëm të vrasjeve politike, dhe në të shumtën e rasteve i përdori vetëm për fushata zgjedhjesh për përfitime votash”, shton ai.
Mosveprimi i LDK-së
Padyshim që 24 prilli është një datë që prek ndjenjat e të gjithë atyre që e kanë njohur Ismat Racin, dhe që ia duan të mirën tokës dhe qiellit të Kosovës, sepse, liria që e gëzojmë sot, e ka përbrenda akullin e zi të dhembjes, për mungesën e Ismet Racit, i tribunit atdhetar që dha gjithçka nga vetvetja për çlirimin dhe lirinë e popullit të vet, dhe kur liria erdhi, në vend të medaljonit të mirënjohjes, mori plumbat e vdekjes! Nuk ka dyshim se u godit nga plumbat e dorës së zezë të çakejve antikombëtar, mirëpo, është për t’u habitur, si të shpjegohet heshtja e drejtësisë, e cila qe 21 vjet qëndron si struci me kokën nën zall dhe i lë vrasësit të enden midis nesh?!?”, thotë ai.
Drejtësia duhet të veprojë!
Madje, ai përmend edhe mbrojtjen që po u bëhet të akuzuarve të Hagës për vrasjet politike nga zyrtarë e anëtarë të caktuar të LDK-së.
“Dhe këtë përshtypje e forcojnë edhe deklarimet e ndryshme të zyrtarëve të saj, qofshin si dëshmitar të mbrojtjes të të akuzuarve në Hagë, ku marrin anë në mbrojtje të akuzuarit, tëcilën nga prokuroria e gjykatës speciale akuzohen për veprimtari kriminale ndaj aktivistëve të LDK-së, siç ishte rasti me dëshmitë e tyre të Hazir Borovcit dhe Nuredin Ibishit, apo edhe deklaratën e fundit të ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, zyrtarit të LDK-së për shumë kohë Skender Hysenit, i cili është penduar për votimin (e ligjit për formimin) e gjykatës speciale”, thekson Haziri.
Sipas Hazirit, në përgjithësi për zbardhjen e vrasjeve politike ka munguar vullneti politik dhe e vetmja shpresë që këto krime të zbardhen, pra edhe vrasja e ish-kryetarit të Klinës, Ismet Rracaj është gjykata speciale.
“Dhe kushdo që është kundër kësaj gjykate, e cila është formuar si rezultat i mungesës së vullnetit politik për të bërë drejtësi të pavarur dhe profesionale në Kosovë, rehabiliton vrasësit e Ismet Rracit dhe është kundër sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë”, përfundon Haziri.