11.1 C
New York
March 16, 2026
DardaniaNews
Uncategorized

Dervish Milici, tmerri i shqiptarëve gjatë luftës – Çka thonë dëshmitarët dhe pse u lirua nga Gjykata?

Gjatë luftës njihej si tmerri i banorëve të Klinës e fshatrave përreth. Vetëm 20 vjet më vonë, për krimet që i tregojnë edhe shumë dëshmitarë, Dervish Krasniqi, i njohur si “Dervish Milici”, ra në pranga të policisë. Në burg nuk i ra të qëndronte gjatë, pasi që një vendim i Gjykatës e la të lirë. Kush ishte “Milici” që torturoi shqiptarët dhe pse po vazhdon të qëndrojë i lirë? Gazeta Express sjell detajet.

GAZETA EXPRESS

Derisa po tentonte të hynte në Kosovë, pasi që në vend po kthehej për një rast të vdekjes në familje, Dervish Krasniqi, i njohur nga kosovarët si “Dervish Milici”, ra në pranga të policisë së vendit.

Dervish Krasniqi nga 2 tetori po mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë, derisa për të kishte dyshime se ka bërë krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-99.

Pavarësisht dyshimeve të mëdha që rëndonin mbi të, qëndrimi në burg Krasniqit i ka zgjatur pak, ndërsa ai është liruar tashmë.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar sot në një përgjigje për Gazetën Express se e ka pranuar propozimin e Prokurorisë Speciale për t’ia ndërprerë paraburgimin Krasniqit.

Kërkesa e Prokurorisë Speciale për lirimin e Dervish Milicit nga Burgu i Sigurisë së Lartë, ka gjetur miratim nga Gjykata Themelore gjatë ditës së djeshme, megjithatë, ky institucion nuk ka treguar arsyet e këtij vendimi.

“Ju njoftojmë se pas propozimit për ndërprerje të paraburgimit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për të pandehurin D.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 26.10.2020 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për ndërprerjen e paraburgimit për të pandehurin D.K”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Express.

Gazeta Express jozyrtarisht ka marrë vesh se lirimi i Krasniqit është bërë në mungesë të provave. Për këtë temë, gazeta ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Speciale, e cila ka bërë propozimin për ndërprerje të paraburgimit, megjithatë deri në momentin e publikimit të lajmit ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Arrestimi i 71-vjeçarit nga Policia e Kosovës i kishte gëzuar para pak javësh banorët e asaj ane, ku Krasniqi dyshohet të ketë kryer krime.

Banorët e Klinës deklaronin pas arrestimit, se Dervish Milici gjatë viteve të ’90-ta kishte vepruar nën uniformën e ushtrisë serbe, e me urdhra të tyre kishte kryer krime të rënda ndaj banorëve shqiptarë.

Madje, tutje, sipas këtyre rrëfimeve, Krasniqi kishte edhe gradë në policinë e asaj kohe.

“Ky ka rrahur shqiptarë sa ka mundur. Ka qenë edhe komandant i policisë në Ujmir të Klinës. Njerëzit tregojnë se ai i ka rrahur njerëzit dhe i ka ulur në shporet”, kishte deklaruar një qytetar.

“Në 12 të natës na kanë dhënë bukë me gips, mua dhe vëllait. Unë s’e kam ngrënë, vëllain e kanë shti me zor. Sot është i sëmurë, vuan prej lukthit”, kështu fliste një qytetar tjetër që kishte qenë një nga personat që thonë se i ka torturuar Krasniqi.

Një qytetar tjetër i kësaj ane, madje kishte thënë se vajzën e Krasniqit e kishte pasur nxënëse, e ai vetë ishte maltretuar nga milici i famshëm i asaj kohe.

“Maltretimi dhe rrahja ka ndodhë në stacion, kjo ka qenë urrejtja e parë e kontakti i parë, e kam urrejtje vetëm pse e kam pas nxënëse cikën e tij, ka qenë një nxënëse shembullore, kështu që nuk kam mujt me u ballafaqu me vajzën e tij, me i thanë më rrahu babai yt (Dervishi)”, thotë ai tutje.

Banorët e kësaj pjese të Kosovës, përmendin edhe shifra se sa persona dyshohet t’i ketë maltretuar ai e kë e kishte bashkëpunëtor të ngushtë.

“Përmi 1000 shpirta janë torturuar në këtë lokacion nga Hajdar Pashiqi, e me të cilin ka qenë Dervish Krasniqi gjithmonë. Kur e ke pa Hajdarin e ke parë Dervishin”.

Dëshmitari tjetër thoshte se muaj pasi kishte përfunduar lufta, Krasniqi kishte qëndruar i mbyllur.

“Ky pesë-gjashtë muaj pas përfundimit të luftës ka qenë i mbyllur. Më pas filloi të lirohej dhe doli nga shtëpia”, kishte thënë ai.

Dervish Krasniqi ishte arrestuar nga policia në pikën e kalimit kufitar në Han të Elezit, me dyshimin e bazuar se ka bërë krime lufte në Kosovën e viteve 1998-1999. /GazetaExpress/

 

 

 

 

Related posts

Skandal në spitalin për Covid-19 – Infermierja dhe mjeku kryejnë marrëdhënie seksuale

dardanianews

Një burrë dyshohet se ka dhunuar seksualisht një vajzë të mitur në Pejë

dardanianews

Kështu LDK mund t’i fitojë zgjedhjet, analisti tregon se cili vendim dëmtoi qeverinë Kurti

dardanianews