Një ciklon i fuqishëm nga Italia është zhvendosur drejt Detit Jon, konkretisht pranë Greqisë, duke sjellë shira të dendura dhe shkarkesa rrufesh.
Ndërkohë, një ciklon tjetër nga Deti Mesdhe, pranë Afrikës Veriore, pritet të qëndrojë të shtunën në afërsi të të njëjtit rajon.
Ky sistem do të jetë edhe më i fuqishëm, duke ndikuar pothuajse në të gjithë rajonin, konkretisht në Greqi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Kosovë, Serbi, Bullgari, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe në një pjesë të Rumanisë dhe Kroacisë.
Të shtunën, fillimisht priten reshje shiu, të cilat me depërtimin e masave të ftohta ajrore nga Siberia, gradualisht do të shndërrohen në borë në shumë vende të rajonit, përfshirë Kosovën.
Deri në orët e vona të mbrëmjes pritet ky kalim, ndërsa pas mesnatës bora do të mbizotërojë në të gjithë vendin.
Bora do të vazhdojë deri në orët e mëngjesit të së dielës, me intensitet të ndryshueshëm, por gradualisht në dobësim, ndërsa pritet të ndërpritet deri rreth mesditës. Shtresa e borës do të arrijë nga 0-15 cm në zonat e ulëta, ndërsa në ato malore deri në 30 cm.
Herë pas here priten erëra të forta, të cilat mund të krijojnë efektin e stuhive të përkohshme, me shpejtësi deri në 45 km/h.

