Ministria e Infrastrukturës është vënë në llupë për shkak të kontratave që nuk i zbaton, megjithë nënshkrimin e tyre me kompanitë që fitojnë tendera për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve.
Kjo ministri u përfshi edhe në skandalin e vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, pasi që këto para u avulluan pa e kuptuar fare MI-ja. Këtë e kishte thënë edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.
Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami derisa raportonte në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me rrjedhjen e transferit të 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit pati thënë se në sistemin e Thesarit të Shtetit gjithçka ka qenë në rregull, por që ky transfer është dashur të vërehet nga zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas saj, pas 10 ditësh është kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës për verifikimin e tyre. “Kur e kanë pa që kanë shku nga një operator dhe kanë kërkuar shpjegim nga thesari, se ky operator nuk ka kontratë. Na kanë thanë se kush janë emrat atëherë ministria me të informuar se ka transaksione të dyshimta kemi intervenu. Në sistem gjithçka është dukur në rregull, nuk e kemi pas si me vërejtje”, tha ajo.
Shuma prej 2 milionë e 77 mijë euro ishte paraparë që të alokohej tek operatorët e rregullut që ishin kontraktuar nga MI-ja, por këto mjete ishin vonuar paarsyeshëm për një, prandaj i dyshuari Labinot Gruda u “kujdes” për to!
Ballkani.info po ashtu merr vesh që së fundi janë edhe një numër i kontratave të nënshkruara nga sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, por ato kanë mbetur të bllokuara në tavolinën e ministrit Arban Abrashi.
E në këtë kohë krize ekonomike, nënshkrimi i këtyre kontratave (proceduralisht shumë e thjeshtë) është jetike për funksionimin e bizneseve.
E derisa kontratat Arbashi i ka në tavolinë dhe nuk po i nënshkruan, ai megjithatë i ka merak vallëzimet mbi tavolina dhe eurot. Të paktën kështu shihet në një video të publikuar në rrjetet sociale, ku Abrashi kërcen mbi tavolina. Turma e sheh atë “me admirim” derisa ai shfaqet “milioner”. /Ballkani.info/