Ambasadori kinez në Ukrainë, Fan Xianrong, ka thënë se Kina nuk do ta sulmojë kurrë Ukrainën, njofton Qeveria rajonale e Lviv.
Sipas tij, shteti kinez do ta ndihmojë Ukrainën, veçanërisht ekonomikisht, raporton BBC – transmeton Gazeta Sinjali.
“Kina nuk do ta sulmojë kurrë Ukrainën. Ne do të ndihmojmë, veçanërisht ekonomikisht…Në këtë situatë, që keni tani, ne do të veprojmë me përgjegjësi” i tha ambasadori i Kinës në Ukrainë, Fan Xianrong, kreut të administratës ushtarake rajonale në Lviv, Maksym Kozytsky, gjatë një takimi.
“Kina është një vend mik për popullin ukrainas. Si ambasador, mund të them me përgjegjësi se Kina do të jetë gjithmonë një forcë e mirë për Ukrainën si ekonomikisht ashtu edhe politikisht”, tha tutje ai.
Fan tha se ambasada kineze ishte zhvendosur nga Kievi në Lviv dhe do të qëndronte atje për momentin, sipas Kozytsky.
Të martën, ambasadori i Kinës në SHBA, Qin Gang, botoi një shkrim në Washington Post duke përsëritur se Pekini dëshironte të shihte një fund të konfliktit në Ukrainë dhe hodhi poshtë “thashethemet” se “Kina dinte, pranoi ose në heshtje e mbështeti luftën”.
“Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës nuk i bën mirë Kinës. Sikur Kina të dinte për krizën e afërt, ne do të kishim bërë më të mirën për ta parandaluar atë,” shkroi Qin.
Komentet e tij pasuan pretendimet e zyrtarëve të inteligjencës amerikane se Rusia i kishte kërkuar Kinës mbështetje ushtarake në Ukrainë – diçka që Pekini dhe Moska e kanë mohuar.