Lojtarët rezervë të Argjentinës u futën në fushë para se topi i goditur nga Messi të përfundonte brenda vijës së portës së Hugo Lloris.
Gjashtë gola, një përfundim i jashtëzakonshëm i ndeshjes, pa dyshim finalja më e bukur në historinë e Kupës së Botës. Por skenari do të kishte qenë më pak i çmendur. Sipas rregullave, goli i dytë i Lionel Messit është dashur të anulohej nga gjyqtari Marciniak.
Në minutën e 108-të të ndeshjes, pas një bashkëpunimi me Enzo Fernandezin dhe Leo Messin, Lautaro Martinezi gjuajti fort nga një kënd i vështirë. Hugo Lloris e priti goditjen e tij, topi ra në këmbët e pleshtit. Messi e goditi atë me të djathtën dhe e kaloi Argjentinën në epërsi 3:2.
Por goli nuk është dashur të pranohej, nëse rregullat zbatohen në përpikëri. Kur Messi e goditi topin, disa lojtarë rezervë të Argjentinës ndodheshin në fushën e lojës, duke festuar ende pa u futur topi në portë. Kjo gjë është e ndaluar.
Goli i shënuar me një person më shumë në fushën e lojës
Paragrafi 9 i Ligjit të FIFA-s për Futbollin thotë: Nëse, pas shënimit të një gol, gjyqtari e kupton, para se të rinisë loja, se një person shtesë ishte në fushën e lojës kur goli u shënua: gjyqtari duhet patjetër ta shfuqizojë golin nëse personi shtesë ishte:
Lojtar, zëvendësues, lojtari i zëvendësuar, lojtari i përjashtuar nga loja apo zyrtar ekipor i ekipit që e ka shënuar golin; loja duhet të rinisë me një goditje të lirë nga vendi ku ndodhej personi shtesë.