Tetë vite më parë vuloste finalen e Kupës së Botës në Brazil me golin e tij, ndërsa dje e shijoi në maksimum triumfin e Argjentinës së Leo Messit.

Mario Goetze zgjidhi finalen Gjermani-Argjentinë në Brazil 2014 me një gol shumë të bukur në minutat shtesë.

Kupa e bukur nisej për herë të katërt drejt Berlinit, ndërkohë që në Buenos Aires kishte vetëm lot, zemërim dhe zhgënjim. Kombëtarja albiceleste u rikthye në majën e botës pas suksesit emocionues në një finale të rrallë dhe të paharrueshme.

Fantazisti gjerman ka festuar Botërorin e parë të Leo Messit bashkë me djalin e tij. Video e festës është bërë virale, ndërkohë që Goetze postoi edhe një foto të bukur me Messin e vitit 2022 që ngushëllon dhe fton Leon e vitit 2014 të festojë realizimin e ëndrrës për të fituar Kupën e Botës.