Kur kriminelët serbë e hodhën bombën e parë në dhomë, gjithçka u kthye në dridhje, zhurmë e zëra tmerrues. Aty mori plagë në këmbë e duar, sidomos traumë. Një forcë e ardhur nga Zoti e udhëzoi, i dha fuqi që të kërcejë nga dritarja. Sot Ela është e gjallë.
Brenda asaj dhome ia vranë e më pas ia dogjën: nënën, tri motrat dhe dy vëllezërit. Kriminelët serbë i vranë e i dogjën edhe 34 anëtarë të tjerë, familjarë, xhaxhallarë të Elës, gjithsej 40 anëtarë vetëm nga familja Muçolli. Kjo masakër nga opinioni vendor dhe botëror quhet masakra e Poklekut.
Elës i shpëtoi vetëm babai, i cili ishte ushtar i UÇK-së. Ajo i mbijetoi krimit, gjeti forcë dhe kurajë për ta vazhduar jetën. U kujdesën për rriten e saj axha Rrahaman, djemtë e axhës dhe dajallarët që shpëtuan nga lufta.
Ela është heroina e mbijetuar e krimit serb në Poklek, e cila në heshtje e përballoi atëherë dhe sot dhimbjen dhe tragjedinë. Asaj iu shua e gjithë familja në rrugën e rëndë të çlirimit të Kosovës.
Ajo jeton me kujtimet e fëmijërisë, kur ishin të gjithë bashkë, me kujtimet e nënës, që aq shumë ishte e lidhur me të, me kujtimet e babait, që ishte celula e parë e UÇK-së në lagje.
Jeton me kujtimet e motrave kur loznin e shkonin bashkë në shkollë dhe tek dajat.
Kujtimi për dy vëllezërit, të moshës 9 dhe 13 vjeç, shpeshherë ia merr fuqinë e qëndresës. E gjunjëzon.
“Kur e kujtoj Rexhën 13-vjeçar, i cili kishte emrin e gjyshit, humbi në kujtime… dhe koha më kthen tek ai. Fare pak dallonim për nga mosha. Ishim rritur pothuajse bashkë. Kishim vetëm dy vjet ndërmjet. Kur kujtoj aftësinë psikike dhe fizike të tij, vullnetin e tij për jetën, dashurinë që na falte.
Qysh në atë moshë zotëronte çdo gjë dhe kuptonte çdo detaj të rrethanave. Ishte i pandashëm nga babi dhe shokët e tij. Kur filloi lufta u mishërua shumë me uniformën dhe UÇK-në. Çdo kund u shërbente ushtarëve, me gjithë fuqinë që kishte, pa u ndarë asnjëherë nga ta.
Ndodhi veç një herë, një natë para tragjedisë, kur babi pa dëshirën e Rexhës, si me urdhër i tha: “Rexhë, rri me familje, se këta do të shkojnë për Shqipëri, e atje jeni të gjithë më të sigurt”. Në atë çast, e mbaj mend si sot, Rexha nxori nga xhepi nja pako cigare dhe një laps-kimik, ia futi në xhepin e jelekut babit dhe e përqafoi”, rrëfen Ela.
Elës pas luftës i vdes edhe babai, Elmiu. Ajo tanimë ka krijuar familje dhe jeton në ShBA.
Kosova e pas luftës, klasa politike dhe shoqëria shqiptare e Kosovës, fare pak dinë kush është Elhame Muçolli, dhe çfarë humbi ajo për çlirimin e vendit.
Kosova dhe shoqëria jonë nuk u kujdesen asnjëherë për Elën e gjallë. Ajo nuk mori asnjë gjë nga atdheu i saj për të cilin iu shua familja. Nuk u punësuar askund kur të tjerët mbajnë katër pesë-vende të punës. Nuk mori asnjë mirënjohje falënderimi nga askush për gjakun që iu derdh për lirinë e atdheut të saj.
Kosova nuk pati vend për Elën! Ajo shkoi në ShBA.
Tragjeditë kombëtare, që me vetëdije dhe pa të i mohojmë, i harrojmë, i nëpërkëmbim, dhe nuk i nderojmë me vepra konkrete, ne mohojmë vetveten si shoqëri dhe si komb.
Fotografia e parë e realizuar më 1999: Ela pranë dritares së dhomës nga e cila ka dalë dhe ka shpëtuar, në prill të 1999-s.
Fotografia e dytë e realizuar në Poklek më 2022.