Në ditëlindjen e heroit
Agim Ramadani – Katana
Amaneti i Lirisë
Biri jem, Driton, ndigjoje këtë za,
Që vjen prej kreshtave ku koha ka mbetë,
Atje ku dielli puth malet e nalta,
Ku liria u shkru me gjak e me jetë.
Unë isha aty, n’at ferrin e Koshares,
Ku rrufetë e luftës thyheshin mbi ne,
Krahas Agim Ramadanit, atij zemër-shkambit,
E Sali Çekajt, gur i lashtë mbi dhenë.
Na ishim tre emna, po nji frymë e vetme,
Nën breshninë e plumbave, n’male e n’borë,
Atje ku kufini u shemb me goditje,
E andrrën e lirë e mbajtëm n’dorë.
Sot, koha ka rrjedhë, rrudhat m’kanë mbulue,
Po amaneti mbetet si flakë n’altar,
Ajo lidhje e shejtë qi u kalit në luftë,
Nuk mundet me u shue, as me u lanë harruem.
Prandaj, biri jem, ndigjoje këtë fjalë:
Siç ishim na vllazën në çdo hap e pritë,
Ashtu mbetsh ti lidhun, me besë e me zemër,
Me djemtë e heronjve qi na dhanë dritë.
Me Jetonin e Agimit, me Hysenin e Saliut,
Vazhdoni atë rrugë, atë miqësi të rrallë,
Se gjaku i baballarëve që rrodhi bashkë,
Ju banë vllazën përjetë, n’këtë truall e ballë.
Mbaje nalt nderin, mbaje nalt krenarinë,
Sikur flamuri që valon n’Koshare,
Jini bashkë n’gëzime, jini bashkë n’vështirësi,
Si drita e lirisë qi s’fiket n’përjetësi.
Ky asht’ testamenti, ky asht urdhni i jem,
Që besa e maleve mos me pasë mbarim,
Driton, biri jem, ji roje e këtij emni,
Për veten, për shokët, e për atdheun tem.
Anton Quni

