Nga Boldnews.al
Pa u ulur ende në mbledhjen e parë të qeverisë së re, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti e uroi ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, duke dhënë një mesazh të qartë edhe në qasjen tërësisht ndryshe që ka me qeverinë shqiptare.
“Ambasada e SHBA-së mirëpret formimin e kuvendit dhe qeverisë së Kosovës. Ne mezi presim të punojmë me qeverinë e re për të çuar përpara prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë ekonomik”, shkruhej në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Mjafton vetëm një krahasim në kohë dhe formë, për të kuptuar se Shtëpia e Bardhë po e sheh si “dele të zezë” kryeministrin tonë, por koha dhe forma për ta nxjerrë nga “vatha” mbetet për tu parë. Faktet janë ashiqare. Më 27 maj të vitit të kaluar, plot 16 ditë pas zgjedhjeve, ambasada e SHBA-ve në Tiranë reagoi thatë dhe shkurt, por me tekst kuptimplotë.
“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”. E theksuar “Partneritet me Shqipërinë”, por jo me qeverinë, lajmëroi një epokë tjetër të marrëdhënieve me Ramës që vinte nga Uashingtoni deri në Tiranë.

