Vetëm pak orë pas skadimit të mandatit për zgjedhjen e persidentit, kryeministri Albin Kurti doli me një propozim të ri për kryetarin e PDK-së Bedri Hamza.
Pas refuzimit të kandidaturës së Bekim Sejdiut dhe kundërshtimit të propozimeve të mëparshme për president, Kurti i ka bërë thirrje Hamzës që deputetët e PDK-së të marrin pjesë në një seancë të Kuvendit me dy pika.
Kurti ka propozuar që fillimisht të votohet projektligji për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas deputetët të votojnë për kandidaten për presidente, profesoreshën Justina Shiroka-Pula.
“Atëherë, para jush, propozimin tonë të orës 20:00 ta modifikoj e përshtat. Hamza le të del publikisht pas meje menjëherë që 22 deputetët e PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë në zgjedhjen për president. Ne po ua votojmë ligjin paraprakisht. Seancë me dy pika: projektligji e ka votën tonë dhe mandej votimi për presidente, profesoresha Justina Shiroka-Pula”, tha Kurti.
Ky propozim vjen në një kohë kur afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit është drejt skadimit dhe partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për kandidatin që do të siguronte votat e nevojshme në Kuvend.

