Natyra Kuqi ka reaguar sërish në rrjetet sociale lidhur me rastin e Arlinda Sylaj Zekajt, e cila humbi jetën më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Përmes një postimi në Facebook, Kuqi ka ngritur shqetësime për mënyrën se si institucionet kishin trajtuar ankesat e mëhershme të Arlindës, duke përmendur edhe marrëdhëniet e saj me ish-bashkëshortin, vjehrrën dhe ish-kunatin.
Në reagimin e saj, Kuqi ka ndarë një deklaratë që ia atribuon Arlindës, në të cilën kjo e fundit kishte shprehur shqetësime lidhur me sigurinë e saj dhe reagimin e Policisë.
“Oj Tyre, i kishin ndalë kamerat, më sulmoi kunati para policisë e ata as nuk reaguan”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Kuqi.
Ajo ka kritikuar gjithashtu një vendim gjyqësor që, sipas saj, parashihte që Arlinda dhe ish-bashkëshorti të qëndronin në të njëjtën shtëpi, duke respektuar një distancë prej dy metrash.
Kuqi pretendon se një vendim i tillë nuk kishte marrë mjaftueshëm parasysh shqetësimet e Arlindës për sigurinë e saj.
Në postim, ajo ka përmendur edhe vjehrrën dhe ish-kunatin e viktimës, duke pretenduar se Arlinda ishte përballur me presione dhe pengesa të vazhdueshme në raportet familjare.
Sipas Kuqit, e ndjera kishte paraqitur ankesa edhe për vështirësitë në realizimin e të drejtës për ta takuar djalin e saj.
Një pjesë veçanërisht prekëse e postimit është deklarata që Kuqi ia atribuon Arlindës, e cila thuhet se ishte përfshirë në një nga shkrimet e saj drejtuar institucioneve.
“Pas vrasjes time nuk pres të përgjigjeni, por pres të mos mund të flini”, citohet të ketë shkruar Arlinda.
Kuqi ka ngritur pyetje edhe për veprimet e Policisë dhe gjyqësorit në Pejë, duke pretenduar se institucionet ishin të informuara për shqetësimet e vazhdueshme të viktimës.
Ajo ka kritikuar veçanërisht mënyrën se si, sipas saj, ishin trajtuar kërkesat për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe takimet e Arlindës me djalin.
Megjithatë, pretendimet e paraqitura në postimin e Kuqit mbeten deklarata publike të saj dhe nuk përbëjnë konstatime përfundimtare për përgjegjësinë e personave apo institucioneve të përmendura.
Rasti i Arlinda Zekajt ka nxitur diskutime të shumta në opinionin publik lidhur me mbrojtjen e personave që raportojnë dhunë në familje dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore.
Ndërkohë, organet kompetente po vazhdojnë procedurat lidhur me ngjarjen e 25 tetorit dhe rrethanat që i paraprinë asaj

