Katër kandidatë me origjinë shqiptare janë pjesë e garës politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të zgjedhjeve të mesmandatit që mbahen më 3 nëntor 2026.
Diamant Hysenaj, Peter Lumaj, Shpëtim (Tim) Qorraj dhe Joe Hoxha synojnë poste në institucionet përfaqësuese amerikane, duke garuar në nivele të ndryshme federale dhe shtetërore. Dy prej tyre kanë lindur në Kosovë dhe dy në Shqipëri, ndërsa përfaqësojnë Partinë Republikane dhe Partinë Demokratike.
Diamant Hysenaj – kandidat për Kongresin amerikan
Diamant Hysenaj, i lindur në Kosovë, kandidon për Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan në Distriktin e 14-të të Nju-Jorkut, ku synon të sfidojë kongresisten demokrate Alexandria Ocasio-Cortez.
Ai emigroi në SHBA në moshën nëntëvjeçare dhe u rrit në South Bronx. Hysenaj është sipërmarrës dhe në fushatën e tij ka vënë në fokus strehimin e përballueshëm, sigurinë publike dhe mbështetjen për bizneset e vogla.
Peter Lumaj – kandidat për Sekretar të Shtetit në Connecticut
I lindur në Shqipëri, Peter Lumaj garon si kandidat republikan për postin e Sekretarit të Shtetit në Connecticut, kundër demokrates Stephanie Thomas, e cila aktualisht mban këtë funksion.
Lumaj është avokat dhe ka përvojë në politikën amerikane. Në të kaluarën ka kandiduar për Senatin amerikan dhe për guvernator, ndërsa në vitin 2014 kishte garuar edhe për të njëjtin post në Connecticut.
Sekretari i Shtetit në këtë shtet ka përgjegjësi në administrimin e proceseve zgjedhore dhe regjistrimin e bizneseve.
Shpëtim (Tim) Qorraj – kandidat për Asamblenë e Nju-Jorkut
Shpëtim Qorraj, i njohur në SHBA si Tim Qorraj, është kandidat i Partisë Demokratike për Asamblenë e Shtetit të Nju-Jorkut, në Distriktin e 64-të, që përfshin zona të Staten Island-it.
I lindur në Kosovë, Qorraj emigroi në SHBA në vitin 2011 dhe jeton në Staten Island, ku është angazhuar në biznes dhe në aktivitete që lidhen me komunitetin shqiptar dhe familjet emigrante.
Në fushatën e tij ai ka vënë në fokus koston e jetesës, arsimin publik, sigurinë, transportin dhe mbështetjen për bizneset e vogla. Në këtë garë përballet me republikanin Michael Tannousis.
Joe Hoxha – synon mandatin e tretë në Connecticut
Joe Hoxha, i lindur në Shqipëri dhe i rritur në SHBA, është aktualisht përfaqësues në Dhomën e Përfaqësuesve të Connecticut-it, ku synon të fitojë mandatin e tretë.
Ai përfaqëson Distriktin e 78-të, që përfshin zonën e Plymouth-it dhe një pjesë të qytetit të Bristol-it. Në zgjedhjet e 3 nëntorit përballet me kandidatin demokrat Nate Brown.
Para angazhimit në institucionet përfaqësuese të shtetit, Hoxha ka qenë i përfshirë në fushata politike republikane dhe në strukturat e kësaj partie në Connecticut.
Pjesëmarrja e katër kandidatëve me origjinë shqiptare në zgjedhjet amerikane të vitit 2026 dëshmon për përfshirjen e komunitetit shqiptar në jetën politike dhe institucionale të SHBA-së, nga Kongresi amerikan deri te institucionet shtetërore

