Milazim Krasniqi, profesor i njohur universitar, ka publikuar një artikull-analizë mbi figurën e Ibrahim Rugovës, ish-president historik.
Krasniqi ka pasur fjalë të mëdha për Rugovën, me të cilin personalitet bashkëpunoi ngusht për gati dy dekada, përfshirë vitet e përpjekjes për liri në dekadën e fundit të shekullit 20-të, shkruan KOHA.
Krasniqi ka vlerësuar se Rugova dukej si person i determinuar për të qenë një udhëheqës i një vendi të robëruar.
“Në fakt unë i shoh komplementare, pra, Rugova vërtet dukej si person i determinuar për të qenë një udhëheqës i një vendi të robëruar, jo vetëm pse e pati specifik fatin familjar, po edhe pasi e pati intuitën e guximin që ta ndiqte misionin, duke manovruar në rrethanat që ndryshonin marramenthi” – shkruan Krasniqi, transmeton Gazeta Politika.
Në esën e tij, Krasniqi ka vlerësuar se “Rugova ishte vizionar, ishte i guximshëm, por gjithnjë modest dhe i matur”.
Në shkrimin e tij, Krasniqi ka pasur një interpretim interesant.
“Por, u desh vizionariteti dhe guximi i Rugovës që ajo kthesë të kapej dhe të mirrej orientimi që u mor për Kosovën si shtet të pavarur dhe të orientuar me çdo kusht drejt botës atlantike. Kriza e federatës jugosllave krijoi ambient më të përshtatshëm për idenë e pavarësisë, por e vërteta që unë e di saktë është se idenë e një Kosove të pavarur Rugova e kishte në kokë, para se të hynte në politikë” – shkruan Krasniqi, të cilin shkrim mund ta lexoni plotësisht duke klikuar këtu./GazetaPolitika.

