8.8 C
New York
March 28, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

AKI-Ja Duhet Spastruar Nga Njerëzit E SHIK-Ut, SHISH-It, Lidhjet Me UDB (BIA), Shërbimet Turke Etj…

Shkruan: Idriz Morina

Shkarkimi i kreut të AKI-së, edhe pse pas skandalit të njohur në Presidencë, duhet të vazhdohet me shkarkime të tjera të përgjegjësve dhe operatorëve, që kanë lidhje të padiskutueshme me krerë të krimit të organizuar në politikë dhe jashtë saj.

Përveç përpjekjes me skenar, për ‘vjedhjen’ e dosjeve në Presidencë, sikurse u zhdukën në Dhomën e Dëshmive në selinë e Policisë në Prishtinë, e më pas edhe në Pejë, AKI-ja, shihet si një institucion që ka angazhuar në masë njerëz të SHIK-ut apo të angazhuar nga ky shërbim partiak i PDK-së, pas luftës, ndërsa në luftë në shërbim të një grupi kyç të organizuar nga e majta në luftën në Kosovë, krerët e së cilës po merren në përgjegjësi nga Gjykata speciale, dhe se betejën kryesore do ta kenë për vrasjet politike, të zyrtarëve të LDK-së, mbështetësve të presidentit Rugova, por edhe të vrasjeve ‘brenda llojit’, në luftën për dominim të plotë, si vrasja e Behajdin Hallaqit të LPK-së apo Ilir Konushecit të LKÇK-së.

Siç e tregoi edhe skandali i përmendur më sipër, i zbuluar shumë kohë më vonë, pas një muaji e më tepër (i bërë publik nga Presidenca), njerëzit e saj kanë vepruar si të ishin një organizatë private, veçmas në shërbim të Hashim Thaçit.

Kjo është një histori e gjatë, e karakterizuar që nga themelimi i SHIK-ut, që si e përvijuam më sipër, nuk e kishte kryer rolin themeltar, por kishte pasur tendencë të devijimit të vazhdueshëm, që të shihej si pronë, nga ndjenja posesive, si thotë Fromi (Të jesh apo të kesh), e jo, që të jetë si institucion i mirëfilltë shtetëror, por që ta kontrollojnë, administrojnë me posesivitet, që pashmangshëm çon në keqpërdorim dhe abuzim, të rolit dhe misionit.

Këtë posesivitet, të shprehur ndaj SHIK-ut, nga drejtues të tij, po e vuan edhe AKI-ja, që nga themelimi i saj. Rasti më ilustrativ publik është rrëmbimi i zyrtarëve të rrjetit të shkollave të “Mehmet Akif”, me mbështetje të Thaçit për llogari të shërbimit turk.

Vrasja sociale, psikologjike dhe politike

Survejim (të paautorizuar), përgjim, njollosje, shantazhim, ngushtim hapësire dhe veprimi në institucione, bllokim, devijim të informacioneve, përjashtim, moslejim punësimi në institucione, varfërim, pengim biznesesh, shpartallim… është imazhi i një grup veprimesh të dëmshme të kryera nga ky shërbim, po për llogari të grupeve kriminale në politikë.

AKI-ja ka ndihmuar në ndjekjen, përgjimin dhe izolimin e intelektualëve dhe patriotëve më të mirë, madje ka shkuar aq larg sa ka ndikuar drejtpërdrejt në “vrasjen” sociale dhe psikologjike të figurave publike me ndikim.

Ishte shkrimtari i shquar, intelektuali dhe publicisti Teki Dervishi (1943 -2011) njëri prej viktimave të tilla, derisa e mori vdekja fizike, që në vazhdimësi e evidentonte me miq të ngushtë, “të gjitha po mi bën policia sekrete, policia sekrete e UNMIK-ut”, “si UDB-a dikur!” Edhe pse AKI-ja ishte në fillimet e saj, ajo duket se ndoqi rrugën paraprake.

Një “vrasje” të tillë të ngjashme, por politike, pavarësisht rezitencës së fuqishme, do ta ketë përjetuar edhe akdemiku Sabri Hamiti, i cili më shumë se nga kundërshtarët e tij, për vite të tëra u akuzua, u sulmua tinëzisht nga njerëz të strukturave të LDK-së, duke e paraqitur si pengesën kryesore për reformim të LDK-së, se punët në LDK do të ishin krejtësisht ndryshe pa të, si njeriu që po e pengonte Isa Mustafën, dhe përplot akuza të tjera, për ta rrënuar personalitetin e tij në publik, aq sa e bën të humbte në zgjedhjet e fundit, i cili veç tjerash nuk e votoi demarkacionin e kërkuar nga Thaçi, si një arsye tjetër për ta goditur!

Goditjet e tilla ishin të orkestruara edhe përtej LDK-së. E këtë mund ta bënte vetëm AKI-ja, dhe shërbimet tjera armiqësore në këtë rast edhe ndaj vetë LDK-së.

AKI-ja ka ndërmarrë apo mbështetur veprime të panumërta për të penguar depërtimin e të vërtetave në interes kyç për shtetin, të ardhmen e shqiptarëve, duke mbështetur pengimin dhe bllokimin e portaleve ‘disidente’, që kanë çmitizuar figurat e krimit politik, përfshirë të akuzuarit e gjykatës speciale, duke i mbrojtur ajo, interesat e tyre në kundërshtim me të gjitha obligimet kushtetuese dhe ligjore të saja.

Vetë Dhomat e specializuara (Gjykata speciale) ka evidentuar se “strukturat e sigurisë” po e pengonin të kryente punën e saj. Kjo nënkupton se AKI-ja është përdorur nga Thaçi dhe klani i tij për interesa personale të tyre, kryesisht në përpjekje për ta zhbërë, sikundër u tentua në vitin 2017, që nëpërmjet Kuvendit me votë ta përmbyste themelimin e Gjykatës Speciale, dhe po ashtu është përdorur kundër dëshmitarëve, qoftë duke ua zbuluar identitetin, qëllimet e tyre, pastaj duke i izoluar dhe duke i detyruar të heqin dorë nga dëshmia apo duke i ofruar kompensim monetar …

Me shumë gjasë Gjykata Speciale mund të hetojë një pjesë të strukturave të AKI-së me motiv për gjetjen e provave për përfshirje të saj ‘në lidhje me shërbimin dhe luften speciale që kishte ndërmarrë kundër Gjykatës speciale dhe drejtësisë’.

AKI-ja duket hapur se nuk ka bërë asnjë përpjekje serioze për 12 vjet që të izolojë, bllokojë apo delegjitimojë, strukturën prej qindra mbështetësisht të Thaçit dhe Veselit, që unë jam i prirur ti quaj, “300 spartanët”.

“300 spartanët” për dallim nga ushtarët e Leonidas, që luftonin para 24 shekujsh për ta mbrojtur Spartën nga pushtimi persian, këta luftonin t’i mbronin padronët e tyre, qoftë edhe duke vendosur në dëm të territorit të Kosovës, që kryeshefi i tyre Thaçi, kërkonte kinse shkëmbim territori, që në fakt ishte copëtim i Kosovës, madje duke pasur kryeministrin e Shqipëris Edi Ramën për interlokutor, do të përfundonte me ndarje të saj, ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, dhe kështu, që gjykata speciale nuk do të kishte mundësi ekzistimi.

Pra, Thaçi dhe “300 spartanët” e tij, bënin pikërisht të kundërtën që bënte Leonida, duke luftuar në ballë të ushtarëve të tij, dhe duke arritur edhe pse me humbje, të hyjë në histori si një prej kryeheronjve dhe strategëve të luftës, të betejave më epike, pasi zvarritja që ua bëri forcave persiane, dhe veçmas shpirti luftarak i treguar aty, ishin të mjaftueshme për organizimin e një aleance antipersiane, që çoi në fitoren e luftës.

Por, “300 spartanët” e ‘shikut’ dhe shefat e tyre dështuan turpshëm, pasi dështuan në mbrojtje të Kosovës.

AKI-ja, nuk ka gjurmë se e ka luftuar këtë, madje as nuk e ka dekonspiruar financimin e tyre, që nga shuarja e SHIK-ut! Për këtë ishte dhe është e pashmangshme marrja në përgjegjësi e drejtuesve të saj!

Ajo ka dështuar të parandalojë demarkacionin me Malin e Zi në dëm të Kosovës, madje s’ka bërë asgjë për ta penguar këtë frymë, shumë të shtrirë dhe shumë thellë në tërë sistemin shtetëror, madje edhe në media…

  • Ka dështuar të parandalojë ish presidentin Thaçi në përpjekjen e tij për ndarjen e Kosovës me Serbinë, madje siç u pa me shumë gjasë as nuk ka tentuar ta bëjë një gjë të tillë, por përkundrazi e ka ndihmuar.
  • Ka dështuar që mos ta lejonte të bëhej serbi spiun i BIA-s këshilltar i Hashim Thaçit president.
  • Ka dështuar t’i ndalojë privatizimet në dëm të Kosovës si i një pjese të KEK-ut, që sot quhet KEDS (i shitur me një çmim simbolik), dhe me pronësi shumë të paqartë.
  • Ka dështuar t’i ndalojë privatizimet që shkatërruan industrnë e dyfishtë, civile dhe ushtarake, si “Ramiz Sadiku”, në Pejë, “Amortizatorët”, Prishtinë, “Fabrika e Municionit” Skënderaj etj.
  • Ka dështuar të parandalojë privatizimet tjera që kanë ndodhur pas pavarësisë, njësoj si para saj me çmime të turpshme, lëmoshe,
  • Ka dështuar të parandalojë veprimtarinë kriminale subverzive të shërbimit sekret serb, në Kosovë, dhe në mënyrë të veçantë në veri,
  • Ka dështuar, që t’i çlirojë institucionet nga kapja e njerëzve më parë të SHIK-ut, si në Qeveri, Presidencë, Kuvend, në tërë administratën, në polici, gjyqësi, prokurori, në shëndetësi, arsim etj, universitet, madje si shkruan në një rast kolegu Fehim Tahirsylaj, ata janë të vendosur deri edhe nëpër shkolla, pra duke lejuar një lloj sistemi ‘paramiltar’, apo parapolitik e para institucional, me rol kyç gjithandej,
  • Ka dështuar të zbulojë apo të pengojë planet për vrasjet e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale, në Hagë (madje dyshohet, sipas akuzave publike, se ia ka zbuluar identitetin disave prej tyre, me qëllim të nënshtrimit të tyre, për të mos dëshmuar),
  • Kanë penguar dhe vazhdojnë të pengojnë ngritjen e atyre shqiptarëve që janë në mbrojtje të interesave të njëmendëta shtetërore e kombëtare, duke ngritur në kurriz të tyre, figura (politike, intelektualë etj) në dëm të proceseve dhe çështjeve shqiptare dhe shtetërore të ndjeshme.
  • Nuk ka ndikuar në uljen e krimit të organizuar, korrupsionit, shpëlarje parash, vjedhje nga Thesari (si rasti i 2.1 milionë eurove)…
  • S’ka krijuar kushte arrestimi apo izolimi të spiunëve serb, e të spiunëve të shërbimeve me qëllime të dëmshme ndaj Kosovës… etj.

Pra, AKI-ja, edhe në bazë të detyrave kushtetuese dhe ligjore mban përgjegjësi jo vetëm për ato (punë, veprime, strategji…) që i ka bërë keq, por edhe për ato veprime, projekte, strategji, që si ka bërë e si ka kryer.

Natyrisht AKI-ja nuk është e gjitha kjo, sepse edhe numrit i të këqjave apo gabimeve është shumë më i madh, por roli kryesor dhe strategjitë që është dashur t’i ndjek, ka dështuar apo si ka bërë si duhet. Po ashtu në mesin e saj, sigurisht se ka njerëz të devotshëm për atdhe dhe shtet, por se ata janë lënë kryesisht nën hije!

Related posts

E thotë Haziri: Mund të befasoheni kur LDK-ja ta propozojë kandidatin për kryeministër

dardanianews

Dhunimi i 22-vjeçares keniane në Tiranë, përfaqësues të ambasadës së Kenias në Romë takim me shefin e komisariatit

dardanianews

Kurti shkarkon kryeshefin ekzekutiv të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”

dardanianews