Aktori i njohur Çun Lajçi para pak javësh ishte i infektuar me COVID-19, por edhe pasi e mundi virusin ai vazhdon të mos jetë mirë me shëndet.
Prej ditësh, artisti qëndron i shtrirë në spitalin e Pulmologjisë, ndërsa përmes rrjeteve sociale i mban të informuar ndjekësit për shëndetin e tij.
Me postimin e fundit, Lajçi flet për kushtet që janë në spitalin ku po qëndron dhe përmend edhe politikanët.
Ai tregon se si nuk iu ofrohen kushtet e duhura pacientëve e mjekëve, ndërsa thekson faktin që u mor vendim në Kuvend për pagesën e rrymës për serbët në veri.
Krejt në fund, ai tha se ilaçet për trajtimin po ia paguajnë mërgimtarët nga Amerika dhe Evropa.
KY ËSHTË POSTIMI I PLOTË I ÇUN LAJÇIT, PA NDËRHYRJE:
“Ah kjo farë e fëlliqtë që s’me len rehat
Ne! Po pra ne!
Nji grimcë e këtij globi, pesë gishta vend, që kur u kall edhe zinxhiri i qenit lidhun n’qafën e tij t’zharitun, djem e burra, çika e pleq morën pushkët me mbrojt pragun!
Por kjo s’mjaftoi.
Atdheut i duel flaka e nji popull u ba ushtri çlirimtare me i dalë zot kësaj trohë Kosove!
– E lash djalin tre muejësh, ndërhynë infermierja, deri sa mundohet me ma gjetë venën për infuzion, e dola n’mal m’ua lidhë plagët luftëtarve, e besom n’Zot se kushtet i pata ma t’mira se këtu!
Hej, nji kapshatë bukë duhet me hangër koridoreve tue vrapua dhomave poshtë-naltë! Marre bre për kët shtet!
S’po flas sa paguhem jo, por për nji dhomë me hangër kapshatën e bukës, se edhe qeni e ka nji kotec!
Thot infermierja e unë e harroj gjylpanën që shpon, se zemra m’dhembë për këta njerëz që shpëtojnë jetë, pa kushte pa përkujdesje institucionale!
Eh, ofshajë dhe i kthem prap luftës! Edhe zemrat tona ishin pak, se shumë ishin ata, e çfarosja rrinte n’prag.
Atëherë nji bote u zbraz mbi hijenat që morën ikën tue i çua tre gishta turpi përpjetë, e bishtin tue mëshef nër shalë!
Thamë; u ba bota me ne e ne pjesë e tyne u bamë!
Sa lumtuni për ata që mbetën gjallë e sa krenari për dëshmorët e atdheut që menduen se s’harrohet gjaku i tyne!
Por, sikur s’mjaftoi as kjo.
Menduem se me kaq përfundoi gjithëçka e liria u gozhdua n’rrajën e trungut kosovarë, e tash binë vet e lulëzon gjithçka, edhe pa djersën tonë, e s’i ra kujt ndërmend se rraja thahet (e liria venitët) po që se nuk pikon djersa jonë n’bimën e porsa mbjellune!
Fluturuem mbas shkëlqimit e sytë shumëkujt iu vërbuen e s’ditën me u ndalë, por mbetën shtegtarë t’përjetshëm mbas lakmisë e cila i lidhi për fytit, e sot e atë ditë harruen se gjaku i dëshmorëve ishte derdhë për lulet e lirisë, jo për ujën e tyne, jo për cullakhanet me kudra hoteleve para se t’prangosën e t’kukasin!
Po pra ne!
Ne, populli themeltarë i ushtrisë, ne mbetëm prap të dera, e ata që i trashën qafat e kuletat, ata që shkuen e erdhën, thanë jemi UÇK, e mos folni keq për neve e shkronjat tona, se iu shpallim tradhëtarë!
Popullit t’vet i thotë e përtej Ibrit ua paguen rrymën e ujin që 10 vjet vrasësve t’vet!
Hapu tokë!
Thanë, dhe nisën me i luejtë edhe gurët e trollit e me gropua e me rrua e me vjedhë çka s’vjedhet: Atdheun e vet!
U banë të dishëm e vunë, kush gisht kush firmë, e thanë kjo asht e imja kjo e atij e kjo stërnishtë për vrastarin tonë!
E dhimbshme deri n’palcë?!
U hipën reve t‘bardha e fluturuen n’pakthim, tue na lanë n’mjerimin e tyne e thanë pritni deri sa t’kthehemi!
Por, kur nisën përrojet me gurgullua e bletët me mbledhë nektarë, ata u trazuen. Na iku mjalti thanë, na mbetën kosherët zbrazët e filluen me ulëritë! U kapën n’rrajët e hajnisë e nisën me zbritë të brini i kaut të zi! U tmeruen kur e panë se djersa ishte ba kripë guri e dolën n’foltore e deshtën me luftua me gra!
Trimat e pasluftës thanë jemi, se ata t’luftës i kemi çua n’pushim deri t’kthjellemi ne, e ne nuk kthjellemi pa na pëlcitë gjaku n’vesh, si deleve kur u trashët.
Jo, gabim thashë, si mua që m’asht rritë D-dimeri n’5000!
Unë i smuti iu shkruej, (n’vend se ata për t’cilët bana art 50 vjet me m’ngushëllua), ju shkruej jo për veti, se jam i moçëm, por për juve që doni me hangër Kosovën e n’fund edhe vetën, e trima jeni ba tash kur s’keni me kend me luftua, pos me Sarandën e Donikën, (se dorën n’zemër edhe n’luftë ishit mbas gardhit, se do tjerë për juve derdhën gjak)!
Vjosës s’po guxoni ma me iu gërdhuzë, se aty rrufe çkrep Kosova, e i keni gjetë do t’përsekutueme e t’dhunueme nga vrasësi i juej e i joni, e po iu shisni trimni tue iu thanë: Hajde, dil jasht t’kallxoj!
Ah more rodi i fëlliqt po kush t’la n’Dardani me lëshua shtatin e kopil n’Parlament mu ba!
P.S
Mërgimtarët nga Amerika e Evropa po mi blejnë ilaçet! Kaq që ta dini nëse harroj me iu kallxua!
Nga spitali, 08.05.2021″.
Aktori i njohurÇun Lajçi